Kosova
Biserko komenton dinarin dhe Javelin-ët/ Përshkallëzimi varet nga ky shtet
Nga data 1 shkurt, në Kosovë, valuta e vetme që do lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave në Kosovë do jetë euro. Në bazë të Rregullores së re, do të ndalohet edhe pagesa me dinarin serb në territorin e Kosovës.
Kjo gjë ka shkaktuar debate dhe reagim të ashpër nga Serbia. Me vendimin, nuk po pajtohen as shtetet e QUINT-it, të cilët kanë kërkuar që kjo çështje të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në Bruksel, si edhe kanë kërkuar pezullimin e zbatimit të kësaj rregullore.
Por, a është çështja e dinarit në Kosovë, si dhe armatosja e Kosovës me raketa amerikane Javelin, një “shkëndijë zjarri” për tensione të reja mes dy vendeve?
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka fajësuar mediat serbe për raportimet lidhur me këto dy çështje.
“Mediat serbe mbulojnë gjerësisht dhe përshkallëzojnë tensionet, por thelbi është se transaksionet e pagesave janë në zhvillim e sipër”, ka thënë Biserko. Megjithatë, sipas saj, përshkallëzimi i situatës në Kosovë, varet shumë nga Rusia, që siç ka theksuar ajo, mund ta zhvendosë interesin e saj në Bosnjë.
“Armatosja e Kosovës me raketa Javelin shihet si mesazh jo vetëm për Beogradin, por edhe për Rusinë. Përshkallëzimi rreth Kosovës varet nga vlerësimet e Rusisë dhe ajo lehtë mund ta zhvendosë interesin e saj në Bosnjë. Bosnja është trajtuar prej kohësh si një çështje morale nga Perëndimi, por që kur filloi lufta në Ukrainë, është bërë kryesisht një çështje gjeopolitike ku përplasen Rusia dhe Perëndimi” – ka theksuar Sonja Biserko