Connect with us

Kosova

Biserko: Serbia sot është më e afërt me Putinin se sa më parë

Janë bërë një muaj nga sulmi terrorist në veri, ku u vra rreshteri policor i Kosovës, Afrim Bunjaku. Për mundësinë se terroristët që morën pjesë në sulmin në Banjskë, të dorëzohen në Kosovë, Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, për Qendrën Mediale të Beogradit, tha se nuk është shumë e sigurt, nëse Serbia do të bashkëpunojë me Kosovën për këtë çështje. Ajo ka përmendur se edhe në rastin e Tribunalit të Hagës, ku me dekada janë kërkuar të akuzuarit serbë, Serbia nuk ka qenë bashkëpunuese. Biserko theksoi gjithashtu në televizionin publik se Serbia sot është më e afërt me Putinin dhe se ajo nuk e ka përputhur politikën e saj me atë të Bashkimit Europian.

“Persa i përket faktit nëse bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht SHBA-ja dhe BE-ja, duhet të përshpejtojnë sanksionet kundër shtetit serb dhe presidenti i saj, NATO, SHBA dhe BE janë duke kryer hetime të plota për incidentin. Duket se ata po shikojnë se si të artikulojnë qëndrimin e tyre, veçanërisht pasi të gjithë e kanë dënuar sulmin terrorist. Duket se ekziston një dëshirë për t’i ofruar Vuçicit një strategji daljeje nga kjo krizë, ndoshta për shkak të përpjekjeve të tyre për ta ofruar Serbinë me Perëndimin”

Sipas Biserko-s, brenda qarqeve perëndimore po zhvillohen diskutime në lidhje me vendosjen e masave specifike ndaj Serbisë, por drejtimi i këtyre masave mbetet i pasigurt, me gjasë për shkak të lidhjeve të ngushta të Serbisë me Moskën, gjë që kërkon një qasje të kujdesshme

“Albin Kurti nuk është problemi kryesor në dialogun me Prishtinën, por Beogradi që beson se Kurti po i provokon. Në fakt ai thjesht po përpiqet të zbatojë disa gjëra për të cilat tashmë është rënë dakord. Serbët në Kosovës janë pengjet më të mëdha në këtë histori, sepse politika e Beogradit është e drejtuar kundër interesave të tyre, dhe sepse për fat të keq nuk e kanë lirinë e zgjedhjes”

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, ka konsideruar gjithashtu se radikalizimi i komunitetit serb në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë nga ana e Serbisë, mbart potencialin për hapjen e një fronti të dytë në Evropë, pas agresionit të paprovokuar rus ndaj Ukrainës.

“Interesi i Rusisë është të demonstrojë dobësinë dhe pavendosmërinë e Perëndimit dhe NATO-s. Fakti është se Serbia po pengon konsolidimin e vendeve fqinje dhe se përmes kontrollit të komuniteteve serbe në ato vende po pengon integrimin e tyre në ato shoqëri”

Gruaja që dokumentoi krimet e kryefashistëve serbë – Sllobodan Millosheviç dhe Vojisllav Sheshel – në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1990-1999, theksoi se Serbia i ka caktuar vetes “rolin e liderit rajonale”, ndërsa duke e projektuar veten “fuqia më e madhe ushtarake”, ajo ruan tensionet dhe atmosferën e një lufte të papërfunduar.

“Për këto arsye është vendimtare se si do ta trajtojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës rajonin gjatë vitit të ardhshëm, pasi Bashkimi Evropian nuk ka treguar vullnet apo aftësi për të mobilizuar qytetarët serbë për të ardhmen evropiane. Përkundrazi, pavendosmëria dhe mosbindësia e saj çuan në zhgënjim”.

Advertisement