Politike
Boçi: Bashkia po blen votat e qytetarëve që janë në nevojë
Partia Demokratike në Elbasan ka deklaruar se do të padisë kryetarin e Bashkisë Gledjan Llatja, pasi sipas tyre po blen votat e qytetarëve për zgjedhjet e 14 majit. Me anë të një reagimi për mediat, PD-ja e Elbasani thotë se Llatja me anë të organizatave të bamirësisë po u jep ndihma në këmbim të votës.
“Në një skemë mafioze, nëpër kulisa, Bashkia Elbasan angazhoi gjatë ditëve të fundit të gjithë njësite administrative të evidentonin familje në nevojë, duke i targetuar këtë ta fundit si votues potencial të Partisë Socialiste, pavarësisht bindjeve që ata kanë. Njësitë administrative të Elbasanit kontaktuan me kryefamiljarët dhe kërkuan nga këta të fundit kartat e identitetit, numrin e pjesëtarëve të familjes dhe zotimin me firmë se do të votojnë Partinë Socialiste në 14 maj. Këtyre familjeve në pamundësi ekonomike, apo me pjesëtarë që vuajnë nga patologii të ndryshme, Bashkia Elbasan përmes punonjësve të saj i premtoi ndihma të vazhdueshme ushqimore. Në pamundësi për t’i dhënë brenda institucionit të Bashkisë këto pako ushqimore. Personi që drejton edhe për 2 muajt e mbetur Bashkinë Elbasan, kërkoi ndihmën e një shoqate bamirësie që të ishin ata që të dhuronin pakot ushqimore
Te gjithë personat që kanë marrë ndihmë pranë kësaj organizate jo qeveritare, na pavarësi të plotë nga pushteti vendor, pa asnjë detyrim ndaj Bashkisë Elbasan, kanë qenë të pajisur me vërtetime të lëshuara nga njësite vendore dhe me logon e Bashkisë Elbasan. Ku ka organizatë humanitare që pret lejen e bashkisë për të dhënë ndihma ushqimore për të pamundurit?
Kjo është një skemë e organizuar nga Gledian Llatja dhe Bashkia Elbasan për të tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve në Elbasan. Partia Demokratike ka marrë të gjitha masat dhe brenda kēsaj jave do të padis ne organet e drejtěsisë, Gledian Llatjen dhe çdo punonjës të Bashkisë Elbasan të pěrfshirë në këtë skemë kriminale”, thotë PD-ja e Elbasanit.
E menjëhershme ka qenë reagimi i Bashkisë së Elbasanit, ku tha se një akuzë e tillë nuk është e vërtetë, e ndërsa u ndal te padia e paralajmëruar nga PD për këto shoqata. Sipas tyre, nuk e kishin dëgjuar me parë një kërcënim për padi ndaj një shoqate që bën bamirësi.
“Vetëm një mendje e sëmurë për pushtet si ajo e shtetasit Luçiano Boçi mund të kërcënojë shoqatat e bamirësisë me padi penale. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që një forcë politike të shantazhojë shoqatat e bamirësisë pse ndihmojnë njerëzit apo të sulmojë organizatat fetare pse u qëndrojnë afër besimtarëve të tyre. Në vend që ti falënderojë ato për angazhimin krejt vullnetar në mbështetje të shtresave në nevojë në territorin e Bashkisë së Elbasanit, oferta e ricikluar politike e “foltores” ka zgjedhur ti vendosë në tabelë qitjeje e ti përdorë politikisht si të vetmen mënyrë për të vetkënaqur egon për pushtet.Taksirati i qytetarëve të Elbasanit që do të duhet të shohin e të dëgjojnë të tilla shfaqje të rëndomta deri në 14 Maj kur “foltorja” e Sali Berishës dhe Ilir Metës bashkë me mëkëmbësin e ricikluar do marrin përgjigjen e merituar me disfatën më të thellë elektorale”, përfundon njoftimi i Bashkisë.
Në Bashkinë e Elbasani, Luçiano Boçi është kandidati i koalicionit Berisha-Meta i cili do të garojë përballë Gledian Llatjës nga PS-ja.