Connect with us

Sport

Bohli ka shpenzuar 994 milionë euro, pronari i Clelseat s’di të ndalet

Çelsi ishte një nga humbësit më të mëdhenj të sezonit të kaluar. U rendit në vendin e 12-të në Premier Ligës dhe pati një sezon të dobët në Champions, gjatë të cilit u eliminua në çerekfinale ndaj Realit. Që kur Abramoviç u largua në shkurt 2022, londinezët nuk i janë afruar asnjë trofeu të rëndësishëm.

Triumfi i tyre i fundit ishte Kupa e Botës për klube 2021, gati dy vjet më parë. Dhe në Angli nuk e kanë shijuar suksesin që nga Kupa FA që fituan në vitin 2017. Por kjo shkretëtirë trofesh nuk vjen prej mungesës së investimeve. Pas largimit të trazuar të Abramoviçit nga Çelsi për shkak të sanksioneve të luftës në Ukrainë dhe ardhjes së biznesmenit amerikan Tod Bohli në krye të klubit, Çelsi ka shpenzuar 994 milionë euro, duke qenë klubi që ka shpenzuar më së shumti në këtë periudhë, më shumë se dyfishin e 434-milionëve të rivalëve të Mançester Junajtidit, të dytët në këtë renditje.

MERKATO DIMRI REKORD – Performanca e dobët e Çelsit në pjesën e parë të sezonit të kaluar, në të cilin ata u dorëzuan në garën për titull që në fazën e parë, bënë që Tod Bohli të nxirrte bllokun e çeqeve në merkaton e janarit për të mos humbur garën në Ligën e Kampioneve, i vetmi objektiv për të cilin mund të aspironte. Ai shpenzoi 329 milionë euro për Enzo Fernandezin (transferimi më i shtrenjtë në historinë e merkatos së dimrit me 121 milionë euro), Mudrikun, Badiashilin, Madueken… të cilët iu bashkuan Fofanasë, Kukurejës, Sterlingut dhe Kulibalit të transferuar në verë.

REKORDI I KAISEDOS – Pak ditë më parë Çelsi zyrtarizoi edhe rekordin e ri në Britani dhe nënshkrimin e pestë më të shtrenjtë në historinë e futbollit. Moises Kaisedo zgjodhi Çelsin përpara Liverpulit dhe bëhet lojtari më i shtrenjtë që vihet në dispozicion të Poçetinos. 133 milionë euro ishin shkaku i largimit të mesfushorit ekuadorian nga Brajtoni i De Zerbit. Tani Poçetino duhet t’i gjejë një vend në mesfushën e luksit që përfshin edhe Fernandezin, Santosin, Ugoçukuvin dhe Gallagerin. “Nëse ai nuk është më i miri absolut, ai është një nga lojtarët më të mirë që kam trajnuar ndonjëherë. Ai ka luajtur në rolin e numrit 6, por ne e vendosëm si 8, sepse e kuptuam se ai mund të kishte më shumë ndikim për shkak të aftësive të tij teknike dhe fizike dhe të të kuptuarit të lojës. Ai e njihte më mirë portën, kishte pasimin e fundit dhe u përshtat shpejt me rolin e tij të ri. Në Ekuador ai ka një rol më kontrollues në lojë”, thotë Migel Angel Ramirez, trajner i Kaisedos tek Independiente del Vale.

BAST PËR TË RINJTË – Nëse drejtimi i Bohlit ka një filozofi të qartë, ajo është besimi ndaj talenteve të reja. Nga 40 transferimet e londinezëve, 27 prej tyre janë nën moshën 23 vjeç. Shembulli i fundit është Romeo Lavia, vetëm 19 vjeç. Mes tyre shquhen edhe emrat e Fernandezit, Feliksit (tashmë tek Atletiko), Mudrik dhe Kaisedo. Në fakt, mosha mesatare e Çelsit këtë sezon është 23.4 vjeç, ndërsa në sezonin 2021-2022 ishte 25.1 vjeç.

TRE MOSKETIERËT E FUNDIT – Në njëmbëdhjetëshin që Poçetino bëri për debutimin e tij në Premier Ligë kundër Liverpulit, vetëm braziliani Tiago Silva dhe dy mbrojtësit anglezë Ben Çiluell dhe Ris Xhejms ishin të vetmit që i përkisnin skuadrës gjatë epokës së Abramoviçit. Pjesa tjetër ishin të gjithë lojtarë vendës, si Levi Koluill ose Konor Gallaher ose nënshkrime të fundit si Sterling, Niko Xhekson, Enzo Fernandez ose Aksel Disasi, autor i golit të barazimit kundër Liverpulit.

MBI 300 MILIONË SHITJE – Në epokën e Bohlit, Çelsi ka pasur gjithsej 24 largime, pa llogaritur huazimet. Falë tyre, skuadra londineze ka grumbulluar 321 milionë euro të ardhura, duke qenë klubi i tretë që ka bërë më shumë para nga shitjet që nga ardhja e amerikanit. Ndër emrat e skarcuar, spikasin ato të Havercit (75 milionë tek Arsenali), Mauntit (64 milionë te Mançester Junajtidi) dhe Kovaçiçi (29 milionë te Mançester Siti).

SPONSORI I RI – Kompania amerikane “Infinite Athlete” do t’i paguajë Çelsit 50 milionë në sezon deri në vitin 2030. Imazhi i Çelsit me fanellën “bosh” në krahasor në fund të sezonit të kaluar nuk do të shfaqet këtë vit. Turneu i bluve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë verë ishte kyç për arritjen e një marrëveshjeje me shifra shumë të larta. Pavarësisht se anglezët nuk do të luajnë në Europë këtë vit, lista e yjeve dhe emri i klubit vazhdojnë ta bëjnë Çelsin një markë tërheqëse për investitorët.

Advertisement