Kosova
Bojkoti përgatit skenën për përzgjatjen e situatave delikate e të pazgjidhur në Kosovë
Përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh foli e para në takimin e djeshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në New York dhe tha se kryesisht ka pakënaqësi për nivelin e përparimit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Një prej vëzhgimeve kyçe është pakënaqësia me nivelin e përparimit që është arritur përmes dialogut politik dhe pasojat e drejtpërdrejta që kjo ka për situatën e sigurisë. Niveli i mosbesimit fatkeqësisht është i lartë”, tha Ziadeh duke shtuar se gjatë muajit të kaluar “janë rritur tensionet dhe shpjegimi kryesor është pamundësia për t’u marrë me çështjet që mbizotërojnë përmes dialogut”, dhe se “janë bërë përpjekje të vazhdueshme për legjitimitetin e qeverisjes lokale në katër komunat e banuara kryesisht nga serbët në pjesën veriore të Kosovës”.
Duke përmendur votimin e ditës së diel që dështoi dhe i la në detyrë kryetarët shqiptarë në veri, ajo tha se kjo “përgatit skenën për përzgjatjen e një situate fragjile dhe të pazgjidhur”.
Ziadeh theksoi gjithashtu çështjen e mosbesimit ndërmjet palëve dhe ambientin jo të mirë të sigurisë. “Mbetemi me shpresë se një zgjidhje mund të gjendet, duke i nxitur palët që të punojnë së bashku për të gjetur zgjidhje praktike sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Ziadeh ndërsa e përshëndeti veprimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat te Manastiri i Deçanit.