Shkrime
Boll me heronj/ Një Kryeministër që po tronditet nga drejtësia, një lider opozite që po e tradhtojnë të vetët
Nga Sonila Meço
Ka një tundim të madh me e pa dashje për ta shpjeguar gjithçka që po ndodh sot në politikë si dramë individësh.
Një Kryeministër që frustrohet se drejtësisë po ia lëvizin më në fund qafën nga “andej”, një lider opozite që e tradhtojnë të vetët, disa aktorë të vegjël që duan të jenë aty kur të zbarkojnë aleatët, një zv/kryeministre që bëhet simbol i krizës duke shantazhuar gjysmën më të “rëndësishme” të aferave.
Në Shqipëri, krizat politike shpjegohen zakonisht me faktin se kemi shumë politikë dhe pak shtet, nga individë më të fortë se institucionet, si “zgjim” arbitri ndërkombëtar, apo prej mungesës së drejtësisë. Në pritje të zgjidhjes, ngjarjeve u bëjmë lexim moral, sepse nuk mundemi t’u japim një lexim institucional.
Ndoshta edhe për këtë na shkrep një shpresë e vakët si dritat e rrugicave të braktisura se drejtësia është bërë papritur e guximshme, e pavarur, e çliruar nga ndikimet. Por në thelb ajo po vepron (ende e frenuar), sepse politika nuk ka më mekanizmin e vjetër të mbrojtjes së vet dhe se partnerët çoç kanë në plan. Ta mendosh ndryshe më ngjan nostalgji për një shtet që nuk ka ekzistuar kurrë.
Sepse drejtësia e re nisi e u bitis nga e njëjta kulturë e shërbimit ndaj më të fortit, administruar nga po e njëjta logjikë patronazhimi, nënshtruar një vetingu të goditur shumë herë në Strasburg, duke rekrutuar nga një magjistraturë që po rreken ta kapin me breza, vendosur me vullnet në një hartë pamundësie gjyqësore, ngulfatur pa u ndjerë nga stoku i mbi 200,000 dosjeve që rrezikojnë kaos social e vetëgjyqësi.
Të pretendosh se këto struktura, këto mekanizma, papritur janë shndërruar në “aktorin moral të Republikës”, është t’i japësh një sistemi të fragmentarizuar një cilësi që nuk e ka patur gjer më sot. Patjetër në arkipelagun e saj ka patur e ka ishuj me jetë të pavarur, por drejtësia e këtij sistemi nuk mund të jetë pasqyra e pastër e një (pa)shteti të ndotur. Siç u tha edhe në dhomat e Kongresit Amerikan, vendit sponsor kryesor të reformës, sot drejtësia në Shqipëri po jep prova njëanshmërie, mbi stokun e qindra mijra dosjeve, në vendin ku edhe prej disa akteve të saj po vritet pluralizmi.
Iluzioni se ajo mund të jetë arbitër moral i sistemit është po aq i rrezikshëm sa iluzioni se politika mund ta përdorë drejtësinë pa pasoja.
Pushteti nuk është bërë befas i brishtë, sepse drejtësia po i këput një e nga një degët me kumbulla e dardha mbi supet e kryeministrit, por sepse modeli i qeverisjes ka arritur kufijtë e vet natyrorë, duke bezdisur fort edhe partnerët.
Nga trafiku i drogës, shndërrimi në parajsë pastrimi parash për grupe të lidhura me kartele, cenimi i sigurisë rajonale e ndërkombëtare rëndojnë tashmë përmbi “gurin” në “stomakun” e një populli që qeveriset me duart llum ne korrupsion, zhvatje, kontroll territori, administratë me 200,000 të punësuar si kontigjent i gatshëm vote, centralizim të institucioneve, me patronazhim mbi çdo individ, me lodhje e denigrim të klasës së mesme, emigrim masiv, shpopullim me qëllim, zëvendësim të meritës me militantizëm e shërbime ambulante vote, me shëndetësi e arsim të dështuar.
Janë mu bash këto arsyet se përse çdo akt juridik nga drejtësia ndaj përdhosjes së shtetit sado elementar, logjik, i drejtë ngjan si “i guximshëm”, moral, çdo hetim si spastrim e çdo vendim si finale e një epoke.
Dhe ndoshta ky është keqkuptimi më i madh i opinionit publik.
Shteti nuk po reformohet. Po lëviz, sepse ka mbërritur në kufijtë e tij funksionalë drejt vetë-shkatërrimit.
A mund të jetë e pavarur drejtësia në një shtet të kapur? A bëhet më i mirë sistemi me ndëshkimin e disa figurave, a mundet të vijnë ndërkombëtarët gjithmonë si korrektues të degradimit institucional?
Një drejtësi e rritur në frikë, presion, varësi dhe përdorim politik nuk mund të bëhet papritur e pastër vetëm sepse partnerët i dhanë urdhrin fatal.
Shqipëria nuk ka nevojë për drejtësi heroike, por për institucione që nuk varen nga heronjtë. Në këtë vend, shumë gjëra janë varur nga kulte individësh, blerje ndërkombëtarësh, gjeopolitika, nga kriza, nga rastësia.
Shumë pak gjëra janë varur nga institucionet.
Kjo është arsyeja se përse çdo epokë duket si drama e një njeriu dhe çdo vendim si kulmi i një beteje morale.
Me këtë petk moralist presin rënien e ngrehinës shumë të tjerë rekrutuar, selektuar dhe rritur në zgavrën e mungesës së institucioneve reale.
A po shembet një mënyrë e vjetër e të menduarit të shtetit dhe institucionit, kushdo qoftë ai si pronë personale, plaçkë pazaresh, si mjet mbijetese? A po shfaqen gjasat e kulturës institucionale tek alternativat? Si ka mundësi janë sërish emrat, individët që marrin hovin e “heronjve” në një moment historik si ky dhe vëmendja zbythet me marifet nga thelbi: një strategji e qartë që u kthen shtetin shqiptarëve. Momenti është i artë, megjithëse e bëjnë të ngjajë si koha e vendi i duhur me njerëzit e gabuar.
Se në fakt për sa kohë emrat që administrojnë institucionet janë më të rëndësishëm se ato vetë, çdo krizë do të interpretohet si dramë individuale dhe çdo vendim drejtësie si fitore morale. Por nuk është ende as njëra dhe as tjetra. Ky është çasti në histori ku sistemi zvarritet me ritmin e tij të lodhur drejt pashmangshmërisë së vet, rënies së një pushteti. Më e rëndësishmja mbetetet, a do mundemi të bëjmë shtet, institucione paskëndaj? Se kur sistemi bie, të tërë duan pjesën e heroit. Ama institucionet duan burra e gra shteti. Asnjë prej tyre nuk e “mbath” heroizmin.