Connect with us

Bota

Borrell del në pension/ ‘Politico’ zbulon kush e zëvendëson

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, mund të emërohet në pozitën e kreut të diplomacisë evropiane, aktualisht nën udhëheqjen e diplomatit spanjoll, Josep Borrell, pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në muajin qershor të këtij viti, raportoi gjigandi mediatik amerikan “Politico” për rikonfigurimin potencial të institucioneve evropiane.

Emri i Kallas për pozitën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri përmendet gjithnjë e më shumë në korridoret diplomatike, kryesisht për shkak të një faktori të rëndësishëm: Në dritën e luftës në Ukrainë, shumë liderë të Evropës Lindore besojnë se një nga punët kryesore të BE-së duhet t’i besohet evropiano-lindorëve.

Dy nga tre krerët fundit të diplomacisë evropiane kanë qenë gra (Catherine Ashton nga Britania e Madhe dhe Federica Mogherini nga Italia), përpara se socialisti 75-vjeçar nga Spanja të merrte postin e kryediplomatit pas zgjedhjeve të fundit të BE-së në vitin 2019. Borrell ndërmjetëson gjithashtu edhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Spanjolli, por edhe Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, shpesh e gjejnë veten nën sulme verbale të zyrtarëve institucionalë në Kosovë. Një nga kritikat kryesore ndaj Borrellit është se ai bashkë me Lajçakun vijnë nga dy vende evropiane që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, dy vende anëtare të BE-së – Spanja dhe Sllovakia.

Estonia, ndryshe nga Spanja dhe Sllovakia, përveç marrëdhënieve të mira dypalëshe me Kosovën, kanë edhe të kaluar të ngjashme historike. Estonia, ndër të tjera, ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë për të mbështetur Kosovën në rrugën evropiane, por edhe drejt anëtarësimit në strukturat veri-atlantike, posaçërisht në strukturat e BE-së dhe NATO-s.

Advertisement