Connect with us

Bota

Borrell kërcënon Rusinë me armë të reja për Ukrainën

Borrell kërcënon Rusinë me armë të reja për Ukrainën/ BE, paketë e re sanksionesh


Nga Nju Jorku, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, vjen një paralajmërimi i ri dhe i ashpër i Bashkimit Evropian për Rusinë, përmes deklaratës së kreut të diplomacisë, spanjollit Josep Borrell.
Pas një takimi urgjent të ministrave të jashtëm të BE-së, Përfaqësuesi i Lartë i Unionit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë premtoi sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë për përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainë.

“Në përputhje me Kartën e OKB-së, Ukraina ushtron të drejtën e saj legjitime për t’u mbrojtur nga agresioni rus, për të rimarrë kontrollin e plotë të territorit të saj dhe ka të drejtë të çlirojë vendet e pushtuara, territoret brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Dhe, për këtë, ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e Ukrainës duke ofruar pajisje ushtarake për aq kohë sa të jetë e nevojshme.” – tha Josep Borrell

Ndërkohë, në qytetet ukrainase nën kontrollin rus – në rajonet Donetsk, Lugansk, Kherson dhe Zaporizhzhia – po përgatiten referendumet për aneksimin në Rusi.
Borrell shtoi se BE-ja dënon referendumet e paligjshme në territoret e okupuara ukrainase si një “shkelje e hapur” e sovranitetit të Ukrainës.

“Është e qartë se Putini po përpiqet të shkatërrojë Ukrainën”, theksoi shefi i politikës së jashtme të BE-së. “Po përpiqet të shkatërrojë të gjithë vendin me mjete të ndryshme, pasi po dështon ushtarakisht”.

Ndërkohë,  Bashkimi Europian po planifikon një paketë të re sanksionesh, e shtata, kundër Rusisë, pas njoftimit për zhvillimin e referendumeve në territoret e okupuara të Ukrainës. Masat e reja ka të ngjarë të synojnë sektorë të veçantë si aviacioni ose eksportet e teknologjive të rëndësishme për industrinë ruse.

Duke folur në Universitetin Princeton, në Shtetet e Bashkuara, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen theksoi ndikimin e sanksioneve tashmë të vendosura kundër Rusisë.

“Sektori financiar në Rusi mbahet gjallë artificialisht. Industria është copëtuar. Pjesët e këmbimit po mungojnë. Tani rusët po çmontojnë frigoriferët dhe lavastoviljet e tyre për të marrë gjysmëpërçues për përdorim në ushtri. Në thelb Kremlini e ka dënuar ekonominë ruse duke e zhytur deri në humnerë”

Advertisement