Connect with us

Kosova

Borrell: Kosova dhe Serbia kanë pranuar një plan të ri për dialogun

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka konfirmuar se Kosova dhe Serbia kanë pranuar një plan të ri për dialogun për normalizimin e raporteve. Ai po ashtu tha se në ditët në vijim do të analizojnë komentet që kanë marrë nga Prishtina dhe Beogradi dhe se shpreson se ky “do të jetë një përparim dhe hap para në këtë proces”.

Ekzistenca e planit franko-gjerman u diskutua edhe në Berlin më 3 nëntor nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Megjithatë, për planin nuk ka informacione të shumta. Më 8 tetor, Vuçiç tha se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara, në këmbim të një anëtarësimi të shpejtë të Serbisë në BE.

Por ai shtoi se Serbia “po poshtërohet edhe më shumë dhe nuk do të detyrohet që ta njohë zyrtarisht Kosovën”. Mediat në Kosovë po ashtu kanë raportuar se plani franko-gjerman aktualisht nuk parasheh që Serbia ta njohë Kosovën, por parasheh njohjen e Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.

Advertisement