Connect with us

Kronike

Bosat shqiptarë të kokainës në Amerikën Latine

Shumica e kokainës në botë, paketohet, bëhet gati e niset nga Amerika Latine. Shqiptarët atje janë njerëzit kryesorë në këtë detyrë. Prania e tyre në Ekuador, për shembull, i ka vendosur ata në dorën e parë të zinxhirit të trafikut të kokainës. Disa burra me prejardhje nga Kosova, ishin ndër shqiptarët e parë që e hapën këtë rrugë, duke u bërë pjesë e karteleve të drogës. Shqiptarët janë bërë edhe pjesë e luftës mes grupeve kriminale, edhe ndërshqiptare, për t’i kontrolluar linjat e trafikut të drogës. Në këtë luftë, disa i lanë jetët e tyre atje.

Pa shqiptarët, kokaina nuk vjen në Europë. Kështu përshkruhet tash për tash roli i shqiptarëve në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Shumë nga ta janë të vendosur në Guayaquil të Ekuadorit. Porti i këtij qyteti është nyja kryesore logjistike për kokainën që transportohet në Europë dhe në pjesën tjetër të botës.

Guayaquili, qyteti i njohur edhe si “Perla e Paqësorit”. Është qyteti më i rëndësishëm bregdetar i Ekuadorit dhe gjithashtu qyteti më i populluar i i këtij shteti, me mbi 3 milionë banorë.

Remzi Azemi dhe Fadil Kaçaniku janë dy kosovarët më të njohur si ish-banorë të Guayaquilit. I pari thuhet se tani ndodhet në Gjermani, atje ku, sipas gazetarit Artan Hoxha, është ekstraduar nga Ekuadori. Të dytit iu mor jeta. Siç ndodh zakonshëm, prezenca e tyre atje u bë e njohur për shkak të një varg atentatesh, shkruan Gazeta Express.

Për t’u nisur prej më herët, Remzi Azemi në vitin 2014 ishte arrestuar gjatë një operacioni anti-drogë në Ballkan, së bashku me 11 të tjerë, përfshirë shqiptarë e ekuadorianë. Banda e Azemit akuzohej për ruajtjen e sasive të mëdha të drogës në Guayaquil, të cilat i kishin bërë gati për t’i sjellë në Europë. Ata dyshohej se kishin personel të infiltruar në zonat administrative të porteve, gjë që ua mundësonte atyre t’i merrnin listat e kontenierëve dhe t’i përzgjidhnin ato që ishin të destinuara për në Europë. Megjithatë, Azemi kishte dalë nga burgu pas një muaji.

Nga fundi i vitit 2017, Azemit iu bë një atentat në qendër të Guayaquilit. Ai ishte në po atë automjet të blinduar dhe atentatorët, siç kishin raportuar mediat atje, e kishin shfrytëzuar momentin për të shtënë disa herë kur gruaja e Azemit e kishte ulur xhamin për ta pirë një cigare. Por ai nuk u vra. Mbeti veç i plagosur. Atentati lidhej qartazi me konfliktet për kokainën.

Fotografi e shkrepur pak momente pas atentatit ndaj Remzi Azemit

Kjo ngjarje e pasonte ekzekutimin e shqiptarit Ilir Hidri (i cili ishte gjithashtu pjesë e bandave kriminale atje) vetëm disa muaj para atentatit ndaj Remzi Azemit. Ky i fundit kishte shtetësi ekuadoriane dhe jetonte atje prej 8 vitesh. Autoritetet e Ekuadorit po e hetonin për lidhje të mundshme me vrasjen e Ilir Hidrit.

Plagosja e Azemit kishte hedhur më shumë dritë mbi një grup të strukturuar kriminal në të cilin bënin pjesë shqiptarë, ekuadorianë e grekë.

Sipas dokumenteve të prokurorisë ekuadoriane, Azemi u arratis prej andej pas kësaj ngjarjeje, ndërkohë që ndaj tij kishte nisur një hetim. Një telefon të tij e posedonin organet e ndjekjes atje dhe prokurori i cili merrej me çështjen, Cesar Pena, kishte treguar se kishin gjetur mesazhe të rëndësishme në të.

Fadil Kaçaniku, një shtetas shqiptar nga Mali i Zi, por me origjinë nga Kosova, ishte vrarë në vitin pasues. Ai dhe gruaja e tij ekuadoriane, Elsa G., e cila punonte në aeroport, ishin rrëmbyer në vitin 2018 teksa ishin duke fjetur dhe ishin torturuar e më pas ishin vrarë në periferi të Guayaquilit. Çifti u gjetën të vrarë në një nga rrugët që të çonin në bregdet. Në shtëpinë e tyre ishin paraqitur disa persona të veshur si policë, të cilët i kishin marrë ata duke prezantuar një urdhër të rremë nga gjykata.

Fadil Kaçaniku

Për vrasjen e Fadil Kaçanikut më vonë u akuzua Remzi Azemi.

Të paktën 6 shqiptarë janë ekzekutuar në Amerikën Latine gjatë 5 viteve të fundit, 4 prej tyre në Ekuador. Vrasjet, si pasojë e pritshme nga ky aktivitet, rrodhën deri në rrugët e Shqipërisë.

Azemi dhe Kaçaniku ishin rastet që kishin shpërfaqur më shumë informacione për jetesën e trafikuesve europianë të kokainës në Ekuador. Prokurori Cesar Pena i kishte përshkruar shqiptarët e përfshirë në trafikun e drogës si persona që paraqiten si biznesmenë, që merren me fitnes, që jetojnë në rezidenca luksoze, lëvizin me automjete të blinduara e truproja.

Këta dy merreshin specifiksht me mbikëqyrjen e transportimit të kokainës nga porti i zhurmshëm i Guayaquilit në Ekuador, vendin e vendsur midis Kolumbisë dhe Perusë, prodhuesve më të mëdhenj të kokainës në botë. Dërgesat, zakonisht destinoheshin, sikur edhe sot, për në portin e Roterdamit në Holandë.

Kokaina, si atëherë edhe sot, transportohet zakonisht me bananet e famshme ekuadoriane. Në tremujorin e parë të këtij viti, vetëm në portin e Guayaquilit, policia ka sekuestrar 15.8 ton drogë, gati katër herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2021, sipas AFP-së.

Porti i Guayaquilit

Gazetari Artan Hoxha para disa ditësh në Pressing në T7 tha se aktiviteti i karteleve të drogës në Amerikën Latine lidhet “edhe me grupe që janë në territorin e Kosovës”, por theksoi se ky vend mbetet i parëndësishëm në hartën e trafikut të drogës.

“Kosova nuk është jashtë kësaj industrie globale. Qytetarët e Kosovës e dinë shumë mirë që në Prishtinë apo në qytete tjera të mëdha të Kosovës konsumohet kokainë. Dhe derisa konsumohet, nga vjen ajo? Dikush e sjell”, thotë ai.

Advertisement