Connect with us

Rajon

“Boshti anti-serb”: Brenda fushatës ruse të dezinformimit në Ballkan

Një tjetër valë dezinformimi me fllad nga Kremlini ka përshkuar ditët e fundit hapësirën e mediave sociale të Ballkanit.

Objektivi këtë herë ishte stërvitja e përbashkët e forcave speciale të Shqipërisë, Kosovës, Kroacisë dhe Shteteve të Bashkuara, e zhvilluar në territorin shqiptar.

Më 16 tetor, në të njëjtën ditë kur Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral Arben Kingji, informoi publikun mbi stërvitjen, kanali pro-Kremlin Rybar publikoi në Telegram një analizë për këtë aktivitet.

Në të, stërvitja përshkruhej si pjesë e një “boshti anti-serb” në Ballkan dhe si dëshmi e një “militarizimi të rajonit” nën drejtimin e NATO-s.

Postimi, që u shpërnda më pas në kanale të tjera pro-Kremlin dhe portale serbe të afërta me pushtetin e Aleksandar Vuçiç, e paraqiste bashkëpunimin ushtarak brenda NATO-s si “projekt armiqësor” ndaj Serbisë.

Postimi i Rybar-it në kanalin Telegram
Postimi i Rybar-it në kanalin Telegram

Në realitet, asnjë prej informacioneve të publikuara nuk kishte bazë zyrtare – ishte një përzierje e fragmenteve të deklaratave publike, imazheve nga rrjetet sociale dhe interpretimeve konspirative.

Burime jozyrtare të Albanian Post pranë Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë sqarojnë se stërvitja synonte “forcimin e aftësive të përbashkëta dhe shkëmbimin e përvojës mes forcave speciale”.

“Duke qenë se bëhet fjalë për forcat speciale, informacioni publik mbi përmbajtjen e stërvitjes është i kufizuar për arsye sigurie”, shpjegon burimi.

Në fakt, stërvitja u zhvillua disa muaj pas marrëveshjes së 18 marsit, të nënshkruar në Tiranë nga Shqipëria, Kosova dhe Kroacia, që parashikon forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes – përfshirë trajnime të përbashkëta, edukim ushtarak dhe koordinim ndaj kërcënimeve hibride.

Por për Kremlin-in, kjo u paraqit ndryshe: si “aleancë anti-serbe”, një narrativë që u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale serbe dhe portale të njohura për amplifikimin e përmbajtjeve ruse.

Nga Moska te Beogradi: zinxhiri i dezinformimit

Kanali Rybar është një nga platformat më të mëdha të propagandës ushtarake ruse në Telegram, me mbi 1.3 milionë ndjekës.

Sipas një investigimi të The Washington Post, Rybar është pjesë e një rrjeti më të gjerë propagandistik që përfshin edhe kanalet WarGonzo dhe Starshe Eddy, të cilat “operohen nga individë të lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë dhe strukturat e Wagner-it”.

Në studimin “Heronjtë e Frontit të Informacionit”, studiuesja britanike Natasha Groom e përshkruan Rybar si “një instrument të sofistikuar të luftës së informacionit”, që kombinon përmbajtje analitike reale me narrativë ideologjike për të fituar besueshmëri.

Drejtuesi i kanalit, Mikhail Zvinchuk, ish-oficer i ushtrisë ruse, përdor terminologjinë ushtarake dhe gjuhën e analizës për të ndërtuar perceptimin e një “vëzhguesi neutral”, ndërsa në fakt përçon linjën strategjike të Kremlinit.

Sipas Groom, Rybar është shndërruar nga një blog amator në “aktor strategjik të ndikimit të jashtëm rus”.

Mikhail Zvinchuk
Mikhail Zvinchuk

Eksperti amerikan i marrëdhënieve ndërkombëtare, prof. Michael O. Slobodchikoff shpjegon për Albanian Post se kanale si Rybar përbëjnë një armë të sofistikuar të luftës hibride.

“Këto narrativa janë tipike për fushatat dezinformuese të Rusisë. Qëllimi nuk është të bindin, por të krijojnë dyshim mjaftueshëm për ta bërë versionin alternativ të duket i besueshëm. Kjo është pjesë e asaj që quhet lufta e zonës gri – instrument për të minuar kohezionin e Perëndimit”, theksoi eksperti.

Objektivat e Moskës: përçarje dhe perceptim

Në rastin e Ballkanit, Slobodchikoff thekson se Rusia e përdor Serbinë si nyje strategjike për të gjeneruar tensione rajonale.

“Objektivat janë të qarta: të krijojnë ndarje midis Serbisë dhe NATO-s, midis serbëve dhe popujve të tjerë të rajonit, dhe të ringjallin mentalitetin ‘ne kundër tyre’. Moska po luan me rrënjët historike dhe ndjenjat sllave për t’i bindur serbët se nuk mund t’i besojnë Perëndimit”, thotë ai.

Michael O. Slobodchikoff

Njohësi i sigurisë Avni Islami ndan të njëjtin vlerësim, por e sheh çështjen në terrenin konkret të Ballkanit Perëndimor.

“Agjenda ruse është plotësisht në përputhje me politikat e Serbisë – si në aspektin informativ, ashtu edhe në atë të luftës hibride ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Kosovës”, thotë Islami për Albanian Post.

“Prandaj, mediat ruse të afërta me Putinin dhe ato serbe të lidhura me Vuçiçin zhvillojnë një luftë të përbashkët propagandistike”.

Sipas tij, analiza e Rybar-it për stërvitjen e tetorit nuk është “asgjë e re”.

“Pretendimet se Kosova, Kroacia dhe Shqipëria po krijojnë një aleancë të fortë me SHBA-të nuk janë zhvillime të jashtëzakonshme – këto bashkëpunime ekzistojnë prej vitesh”, thotë ai, duke shtuar se “neutralizimi i epërsisë ushtarake të Serbisë është domosdoshmëri për balancën rajonale, jo provokim”.

Nga informacioni te ndikimi

Ekspertët bien dakord se forca e propagandës ruse qëndron te përshtatja e mesazhit me kontekstin lokal.

Në një rajon me ndjeshmëri historike, ku besimi ndaj institucioneve dhe mediave është i brishtë, dezinformimi gjen terren pjellor.

“Këto fushata jo vetëm që kanë potencial për të nxitur tensione – ato realisht i nxisin. Në një mjedis ku njerëzit informohen kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe rrethohen nga burime të njëanshme, efektiviteti i tyre shumëfishohet”, shpjegon Slobodchikoff.

Një vëzhgim i Albanian Post në Telegram dhe në platforma të tjera serbe tregon se postimi i Rybar-it është shpërndarë në dhjetëra kanale brenda ditës, shpesh i shoqëruar me imazhe të marra nga faqet zyrtare të ushtrisë shqiptare, por me komente nxitëse si: “Shqiptarët po armatosen për luftë kundër Serbisë”.

Në raportet e EUvsDisinfo (mars 2024) dhe të DFRLab (2023), është vënë re gjithashtu një rritje e ndjeshme e përmbajtjeve dezinformuese ruse që synojnë Ballkanin, veçanërisht në gjuhët lokale.

Nga shënjestrimi i Kosovës pas tensioneve në veri, te narrativat për “militarizimin shqiptar”, “boshti anti-serb” është vetëm një ndër rrëfimet e ndërtuara për të krijuar iluzionin e kërcënimit ndaj Serbisë – dhe përmes saj, për të dobësuar ndikimin e NATO-s.

Një betejë për narrativën

Në fund, beteja nuk është për territor, por për perceptim.

Në një rajon ku kujtesa historike është ende plagë e hapur, fjalët mund të jenë po aq të rrezikshme sa armët.

Lufta e informacionit është tashmë pjesë thelbësore e konfliktit modern – ajo që ndodh në platforma si Telegram ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si formohen perceptimet publike.

“Ka aq shumë informacion të shpërndarë, saqë bëhet konfuz për ata që kërkojnë të vërtetën. Prandaj, gjithçka ka të bëjë me përballjen e informacionit që qarkullon dhe mungesën e druajtjes nga dezinformimi. Njerëzit do ta dallojnë të vërtetën, për sa kohë që qeveritë rajonale dhe mediat arrijnë ta bëjnë zërin e tyre të dëgjohet”, ravijëzon Slobodchikoff.

Në këtë kuptim, sipas Avni Islamit, mbrojtja ndaj këtyre fushatave nuk është vetëm çështje komunikimi, por edhe bashkëpunimi real në terren.

Avni Islami
Avni Islami

“Për këtë arsye, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia duhet të hartojnë fillimisht një memorandum, e më pas një marrëveshje politike e ushtarake, që në rast të ndonjë sulmi ndaj njërës prej tyre, të veprojnë së bashku në kuadër të një aleance të përbashkët mbrojtëse”, mendon eksperti.

Në këtë luftë të padukshme, ku çdo “shikim” ose “like” mund të amplifikojë një narrativë të huaj, Ballkani mbetet një nga fushëbetejat më të ndjeshme të informacionit në Evropë – dhe Shqipëria, bashkë me Kosovën, janë tashmë pjesë e saj.

Advertisement