Aktualitet
“Branko nuk më ka ngacmuar”, gruaja e Majlind Habibit zbulon të pathënat e vrasjes
Bashkëshortja e Majlind Habibit, 35-vjeçari që dyshohet se ka vrarë shokun e tij Branko Shkoza, i cili u gjet i vdekur në kanalin e ujërave të zeza në Durrës, ka folur për herë të parë pas kësaj ngjarje. Ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj është i pafajshëm dhe viktima nuk e ka ngacmuar atë asnjëherë, as nuk kanë pasur kontakte. Bashkëshortja e 35-vjeçarit u shpreh për emisionin “Shqipëria Live” se ata ishin shokë së bashku dhe nuk kanë pasur probleme më parë. Ajo u shpreh se bashkëshorti mund të jetë intimiduar në Polici dhe ka pranuar krimin, pasi sipas saj, në kohën e krimit Habibi ka qenë në punë dhe ka mesazhe me të se po kthehej në shtëpi.
“Situata nuk është e mirë. As djali nuk është mirë psikologjikisht. Kërkon të atin, o mami ku është babai, a është në burg apo ka ikur. I thashë që ka ikur në Greqi. Më trembet natën shpesh. Kam nevojë ta dërgoj djalin në psikolog. Kur shoh djalin e harroj veten. Ishte një bombë e madhe, mund të prisja shumë gjëra në jetë, edhe vdekjen, por këtë jo. Ka qenë shumë shok me atë që vdiq dhe nuk kanë pasur konflikte me aq sa di. Nuk më ka folur për debate apo konflikt. Dilnin bashkë, nuk ka qenë njeri i keq ai që vdiq. I keqi vetes ka qenë se pinte. Bashkë i afronte vetëm pija.
Edhe Majlindi pinte, por jo në atë gjendje. Viktima flinte rrugëve nga pija. Branko ishte i keqi vetes, nuk ngacmonte njeri, as mua. Nuk më ka ngacmuar asnjëherë as nuk ka pasur asnjë lloj kontakti me të. Në rrugë as më fliste as i flisja. Nuk e di nëse e ka thënë këtë deklaratë. Majlindi më tha ke thënë në polici që të ngacmuar ai, jo i thash, mua më tha policia që ke thënë ti që mua më ka ngacmuar ai. Nuk më pohoi që e ka thënë. Thjesht më e pyeti a e ke thënë apo jo. Nuk kam vënë re sjellje të çuditshme të bashkëshortit”, tha ajo.
Bashkëshortja e tij shprehet se kjo ngjarje e rëndë ka tronditur familjen, ndërsa në kohën kur ndodhi kjo, ishte shtatzëne, por humbi fëmijën për shkak të stresit. Ajo u shpreh se ndihen e kërcënuar për jetën e djalit të saj.
“Nuk pinte çdo ditë Majlindi, të dielave po. Ditëve të fundit ishte vetëm punë dhe në shtëpi. Më datë 2 nuk ka dalë Majlindi atë natë, e vërtetojnë dhe kamerat e punës që ai ka qenë në punë. Kam dhe mesazhet në telefon që ka qenë duke ardhur në shtëpi. Ai po dridhej atë natë kur deklaroi para policisë. Majlindi më tha që i kishin bërë presion, nuk po e them unë.
Sa i përket akuzave, unë po ta dija ngjarjen do e deklaroja. Kam besimin se nuk e ka kryer ai vrasjen. Ndihem e kërcënuar, më shumë për djalin. Në kohën që ndodhën këto isha shtatzan, dhe e humba në mënyrë spontane”, deklaroi bashkëshortja e 35-vjeçarit.
Në dëshminë e tij paraprake, Habibi deklaroi se Shkoza i ngacmonte gruan dhe kur i kërkoi që të mos e bënte më, ky i fundit e talli. Ai u shpreh se nuk kishte si qëllim ta vriste dhe se është penduar për krimin.
Shkoza, u raportua i zhdukur nga babai i tij më datë 4 dhjetor, pasi kishte humbur kontaktet me të birin prej datës 2 dhjetor. Shoku i tij Majlind Habibi dyshohet se e ka shtyrë me qëllim 33-vjeçarin drejt kanalit të ujërave të zeza për t’i marrë jetën. Pasi hodhi Branko Shkozën nga ura për motive të dobëta, autori i dyshuar raportohet se fshehu krimin, duke mos treguar vrasjen. Të dy të rinjtë, me njohje mes tyre, kanë qenë të dehur momentin e konfliktit, kurse shkak dyshohet se është bërë ngacmimi i gruas së autorit nga viktima, por hetimet janë ende aktive për rastin. Pas ngjarjes, i dyshuari e ka fshehur krimin, duke mos treguar, derisa trupi u gjet pas tre ditësh kërkime.