Aktualitet
Brenda “Tubit Evropian” të Starline – Tirana e ndërlidhur me 39 qytete evropiane përmes metrove me shpejtësi të lartë

Të lidhësh 39 qytete evropiane, nga Lisbona në Stamboll, nga Athina në Helsinki, nga Belfasti në Kiev, duke prekur kryeqytetet më të mëdha evropiane dhe këtë, përmes hekurudhave me shpejtësi të lartë. Nuk është një ëndërr, por një realitet që po e sjell në jetë një rrjet i quajtur Starline dhe i përkufizuar edhe si një “Tub Evropian”, pjesë e të cilit do të jetë edhe Tirana. Pesë linja kryesore, si një rrjet i vërtetë metrosh, ai mund të shihet në fakt edhe si një sistem i gjerë evropian i metrove, i cili mund të ndihmojë në ndërlidhjen e kontinentit të vjetër. Linjat do të jenë: Napoli-Helsinki, Lisbonë-Kiev, Madrid-Stamboll, Dublin-Kiev dhe Milano-Oslo.
Nuk është aq e ndërlikuar sa duket, edhe pse mund të ngjajë e tillë. Sipas hartës së paraqitur nga projekti ambicioz, Tirana do të jetë pjesë e linjës Lisbonë-Kiev, si stacioni i tetë nëse nisesh nga Portugalia dhe si stacioni i gjashtë nëse nisesh nga Ukraina.
Tirana do të jetë pjesë e rrjetit të rajonit, i cili përfshin Zagrebin, Sarajevën, Athinën dhe Beogradin, me këtë të fundit të vetmin që është pjesë e një linje tjetër, atë që lidh Madridin me Stambollin, paraqitur si linja C, me ngjyrë portokalli. Pavarësisht kësaj, Tirana me vetëm dy ndalesa, një në Athinë dhe tjetra në Sofje të Bullgarisë, mund të marrë këtë linjë C dhe të ndërlidhet me gjithë vendmbërritjet e tjera shumë thjeshtë. Po ashtu, Tirana është vetëm tre stacione larg Romës dhe katër nga Milano, për ku mund të lidhet me gjithë veriun e Evropës, sipas paraqitjes skematike.
Çfarë dihet deri tani për projektin?
Dhjetëra linja hekurudhore të nisura vitet e fundit po e bëjnë më të lehtë udhëtimin përtej kufijve të vendeve evropiane. Por një propozim i sapo shpallur nga një institut me bazë në Copenhagen ka një plan shumë më ambicioz për lidhjet e trenave të kontinentit. Plani i Evropës në shekullin e XXI-ë parashikon një rrjet hekurudhor të shpejtësisë së lartë në mbarë Evropën, që do të funksiononte si një sistem metroje ose “tubash”.
E quajtur Starline, ajo shpreson të rishpikë infrastrukturën hekurudhore të “fragmentuar, të pabarabartë, shpesh të ngadaltë” të kontinentit dhe të prezantojë lidhje ultra të shpejta për udhëtimet ajrore rivale.
“Një sistem hekurudhor i integruar me të vërtetë nuk është më vetëm një çështje komoditeti; është një domosdoshmëri strategjike për qëndrueshmërinë e Evropës në shekullin e XXI-ë,” thekson grupi i ekspertëve.
“I projektuar si një sistem metroje, [Starline] ndryshon mënyrën se si evropianët e perceptojnë kontinentin e tyre – jo si një koleksion kryeqytetesh të largëta, por si një rrjet i vetëm, me lëvizje të shpejtë, ku çdo lidhje, qoftë për njerëzit apo mallrat, është e lehtë për t’u arritur”.
Evropa e shekullit të XXI-ë synon që rrjeti të funksionojë deri në vitin 2040 – por sa real është vizioni i tyre?
Ndërtimi i një sistemi metroje në mbarë Evropën
Nuk mund të mohohet se një sistem hekurudhor në mbarë Evropën do të ishte jashtëzakonisht i popullarizuar nga udhëtarët.
“Që nga epoka e artë e trenave të natës deri tek 400 mijë e më shumë përdoruesit e sotëm të Interrail çdo vit, dëshira për udhëtime të hapura dhe të aksesueshme është e qartë”, thotë grupi i ekspertëve. “Megjithatë, pavarësisht kërkesës publike, udhëtimi ndërkufitar mbetet i fragmentuar, i ngadaltë dhe i shtrenjtë”.
Tashmë në punë është Rrjeti Trans-Evropian i Transportit (TEN-T), një iniciativë e Bashkimit Evropian që synon unifikimin e infrastrukturës në të gjithë kontinentin.
Por Evropa 21 thotë se i mungon “ambicia dhe dizajni” jo vetëm në përvojën e pasagjerëve “ku biletat komplekse, shërbimi i paqëndrueshëm dhe stacionet e vjetruara bëjnë që hekurudhat të ndihen të fragmentuar”, por në “mundësinë e humbur për ta bërë hekurudhat një tipar përcaktues të vetë Evropës”.
Grupi sheh një dizajn të unifikuar si çelës për një rrjet ndërkufitar.
“Stacionet ndihen të shkëputur, trenat ndryshojnë shumë në dizajn dhe vetë udhëtimi rrallë konsiderohet si pjesë e përvojës”, thotë grupi për sistemin aktual.
“Format e tjera të transportit, nga trenat japonezë me shpejtësi të lartë në aeroportet skandinave, kanë treguar se lëvizshmëria mund të jetë funksionale dhe ikonike”.
Trenat Starline mund të lidhin Helsinkin me Berlinin në 5 orë
Rrjeti Starline i Evropës 21, prej 22 mijë kilometrash kërkon të lidhë 39 destinacione në vendet evropiane – me linja që arrijnë gjithashtu në Mbretërinë e Bashkuar, Turqi dhe Ukrainë.
Sistemi i ri do të jetë rreth 30 për qind më i shpejtë se udhëtimi rrugor dhe hekurudhor aktual me trenat që funksionojnë me shpejtësi 300-400 km/h.
Kjo do të thotë se pasagjerët mund të arrijnë nga Helsinki në Berlin në pak më shumë se pesë orë në vend të udhëtimit të plotë ditor që kërkon për momentin.
“Kiev në Berlin, historikisht një udhëtim brenda natës, bëhet një lidhje e parashikueshme dhe e pandërprerë,” thotë grupi i ekspertëve. “Milano në Mynih, një rrugë e ngadaltë dhe gjarpëruese sot, shndërrohet në një lidhje me frekuencë të lartë midis qendrave të mëdha ekonomike”.
Trenat Starline do të kenë ngjyrë blu të thellë lehtësisht të dallueshme. Vagonët nuk do të ndahen sipas klasave, por sipas hapësirave për nevoja të ndryshme, si zona të qeta për punë dhe seksione miqësore me familjen.
Trenat do të mbërrijnë në stacione të reja të ndërtuara jashtë qyteteve të mëdha me lidhje me sistemet ekzistuese të transportit urban.
Evropa 21 i parashikon këto stacione si qendra kulturore që do të kenë restorante, pazare dhe zona pritjeje të dizajnuara mirë, si dhe salla koncertesh, muze, ambiente sportive dhe hapësira eventesh.
“Shansi më i mirë i Evropës për të përmbushur zero golat neto të vitit 2050”
Evropa 21 e sheh Starline si një projekt mjedisor gjithashtu.
Transporti është një nga sfidat më të mëdha klimatike të Evropës. Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, në vitin 2022, sektori kontribuoi me rreth 29 për qind të emetimeve totale të gazeve serrë të BE-së.
Fluturimet me distanca të shkurtra mbeten mënyra e paracaktuar e transportit për miliona njerëz, pavarësisht se hekurudhat me shpejtësi të lartë emetojnë deri në 90 për qind më pak CO2 për udhëtim.
Vende si Franca dhe Austria kanë filluar të kufizojnë fluturimet me distanca të shkurtra ku ekzistojnë alternativa hekurudhore, por ndikimi i vërtetë “kërkon një qasje kontinentale”, thotë grupi i ekspertëve.
“Një zhvendosje e guximshme në hekurudhat e shpejtësisë së lartë mund të jetë shansi më i mirë i Evropës për të përmbushur objektivat e saj zero neto për vitin 2050, duke siguruar që lëvizshmëria të mbetet e shpejtë dhe e gjelbër”.

