Connect with us

Bota

Britani/ Gjykata vendos: Emigrantët drejt Ruandës

BRITANI – Gjykata e Lartë e ka cilësuar ‘të ligjshëm’ planin e qeverisë për të dërguar emigrantët në Ruandë. Kjo mund të konsiderohet si fitore për kryeministrin Rishi Sunak, i cili ka bërë një premtim politik për të ulur shifrat e emigrantëve që mbërrijnë në Britani me gomone.

“Qeveria (britanike) ka bërë marrëveshje me qeverinë e Ruandës, të cilat synojnë të sigurojnë që kërkesat për azil të emigrantëve të zhvendosur në Ruanda të përcaktohen siç duhet atje,” thanë gjyqtarët. Një seancë dëgjimore do të zhvillohet në janar për të trajtuar çdo kërkesë apelimi.

Ish-sekretarja e Brendshme Priti Patel njoftoi planin e qeverisë për të dëbuar disa njerëz në Ruandë në prill. Fluturimi i parë i dëbimit, i cili do të nisej më 14 qershor, u ndalua pas një sërë kundërshtimesh nga avokatët dhe organizatat bamirëse.

Sekretarja e Brendshme Suella Braverman është zotuar që politika e Ruandës të funksionojë, ndërsa mirëpriti vendimin e Gjykatës së Lartë.

“Ne gjithmonë kemi thënë se kjo politikë është e ligjshme dhe sot gjykata e thënë këtë. Unë jam i përkushtuar që ky partneritet të funksionojë, fokusi im mbetet për të ecur përpara me politikën sa më shpejt të jetë e mundur dhe ne jemi të gatshëm të mbrohemi kundër çdo sfide të mëtejshme ligjore”, tha Braverman.

Plani i qeverisë britanike përfshin që emigrantët që mbërrijnë në rrugë ilegale në Britani dhe pretendojnë se janë viktima të skllavërisë, do të dërgohen në Ruandë, me përjashtim të fëmijëve të pashoqëruar. Britania pretendon se me anë të kësaj strategjie, do të pengohet rrjeti i trafikimit të emigrantëve që kalojnë kanalin e La Manshit.

Advertisement