Kosova
Brnabiç nxjerr inatin 12 vjeçar: Kurti nuk mund t’i ikë detyrimit të formojë Asociacionin
Kryetarja e parlamentit serb, Ana Bërnabiq, ka pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “po përdor të gjitha mekanizmat për të provokuar konflikte dhe për të spastruar etnikisht Kosovën” dhe ka shtuar se “pavarësisht gjithçkaje, Prishtina nuk do të mund të shmangë obligimin për formimin Asociacionit”, raporton tabloidi në shërbim të regjimit aktual serb “Kurir”.
Bërnabiq, e cilësuar në Serbi si kampione në servilizëm ndaj liderit të saj suprem, ka thënë se Aleksandar Vuçiq po bën përpjekje të mëdha diplomatike për “ta njoftuar” komunitetin ndërkombëtar për “gjendjen e vështirë të serbëve të Kosovës”.
“Po vjen dhjetëvjetori i procesit të Berlinit, duan të ringjallin CEFTA-n e bllokuar prej më shumë se pesë vjetësh për shkak të pengesave që vijnë nga Prishtina, atë që po bën Kurti, po e shfrytëzon hapësirën në mes, kur pas zgjedhjeve për institucionet evropiane, kur nuk ka KE të formuar, ka zgjedhje në nëntor në SHBA, dhe ai e shfrytëzon këtë hapësirë për të shkaktuar konflikte në Kosovë. Duket se të gjithë e panë se atij nuk i intereson sundimi i ligjit, të drejtat themelore të njeriut për serbët, dhe se qëllimi i tij i vetëm është Kosova etnikisht e pastër. Kjo është një situatë tmerrësisht e vështirë për “popullin serb” në Kosovë” – deklaroi ish kryeministrja serbe.
E pyetur se çfarë mund të pritet nga Kurti në periudhën e ardhshme, Bërnabiq ka thënë se “është i mundur përshkallëzimi maksimal i tensioneve”.
Ajo ka shtuar gjithashtu se “Albin Kurti ka dy synime – Kosovën etnikisht të pastër dhe pershkaktimin e konfliktit për hir të interesave politike dhe qëndrimin në pushtet”.