Kosova
Brukseli 27/ Albin Kurti në telefon me Chollet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, si vazhdimësi e mirëmbajtjes së një komunikimi të rregullt, veçanërisht tani në prag të takimit të së hënës në Bruksel.
Në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se gjatë kësaj bisede, Kurti konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedime drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë, Kurti theksoi që përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare.
Kryeministri gjithashtu falënderoi Chollet për mbështetjen përgjatë procesit të dialogut dhe vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Të hënën, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, fillimisht do të ketë takime bilaterale me liderët ndaras, e pastaj takim të përbashkët.