Kosova
Bugajski: Serbia mund të jetë koordinuar me Republikën Srpska dhe Rusinë për sulmin ndaj Kosovës
Janusz Bugajski, gazetar dhe njohës i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, në një shkrim autorial të botuar në portalin boshnjak “Istraga”, ka vlerësuar se sulmi terrorist ndaj Kosovës ka “shumë të ngjarë” të jetë i koordinuar ngushtë me Republikën Sërpska – entitetin serb në Bosnje dhe Hercegovinë – dhe me Rusinë, derisa ka shtuar se provokimet dhe aktet e dhunës mund të organizohen gjithashtu në Mal të Zi për të shpërqendruar më tej vëmendjen e Perëndimit.
Ai ka thënë se provokimet e palës sesrbe shërbejnë për të vonuar dhe shkatërruar përfundimisht dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), si dhe ka kritikuar përfaqësuesit evropiano-amerikanë rreth presionit ndaj Qeverisë së Kosovës për të themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Ai ka potencuar se nëse forcat ushtarake të NATO-s në Kosovë (KFOR) nuk marrin masa për të ndihmuar Policinë e Kosovës në patrullimin përgjatë kufirit dhe çarmatosjen e të gjitha formacioneve kriminale dhe paramilitare në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë, atëherë Beogradi mund të arrijë në përfundimin se mund të vazhdojë me dhunë më intensive.
Ai tha gjithashtu se skenari i “Serbisë së Madhe” do të kërkojë gjithashtu “dritën jeshile” nga Rusia, sepse sipas tij, ajo kërkon hakmarrje kundër Perëndimit për humbjet e saj masive ushtarake në Ukrainë, teksa Serbia do të mbështetet ne aksionin e saj, në “naivitetin” e zyrtarëve perëndimorë që menaxhojnë aktualisht Ballkanin Perëndimor.