Connect with us

Kosova

Bugajski: ShBA-ja dhe BE-ja të ndalin dominimin serb në Ballkan

“Uashingtoni dhe Brukseli duhet të jenë më të vendosur në kundërshtimin e planeve të Beogradit për dominim rajonal në Ballkanin Perëndimor, duke përforcuar pavarësinë e të gjithë fqinjëve të Serbisë” – keshtu ka vleresuar në një shkrim autorial për “The Geopost”,  njohësi i çështjeve të Ballkanit, Janusz Bugajski.

Kësisoj, ai theksoi se humbësi kryesor do të jetë Rusia dhe kjo do të minojë pozicionin e të gjitha regjimeve që e shohin Moskën si aleate.

“Humbja e Rusisë do të dobësojë ambiciet antiperëndimore të Kinës dhe do të izolojë regjimet në Iran, Serbi, Siri, Bjellorusi. Për të minuar udhëheqjen e SHBA-së në bllokun e pavarësisë, Moska tani po inkurajon konfliktet rajonale. Ajo përfiton nga përfaqësuesit dhe bashkëpunëtorët si Hamasi, Hezbollahu dhe regjimi iranian për të kryer sulme terroriste dhe për të ndezur luftëra në Lindjen e Mesme. Inkurajon regjimin e Vuçicit dhe bashkëpunëtorët e saj në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi për të destabilizuar qeveritë e pavarura dhe për të krijuar probleme për Uashingtonin në Ballkanin Perëndimor” – ka theksuar analisti politik.

Njohësi i çështjeve të Ballkanit gjithashtu konsideron se ShBA tani ka mundësi për të shënuar një fitore historike ndaj Rusisë, kundërshtarit të përhershëm të Amerikës, pa vdekjen e asnjë ushtari të vetëm amerikan.

“Për të arritur një triumf kaq vendimtar, Uashingtoni duhet të sigurojë të gjithë fuqinë e zjarrit që i nevojitet Ukrainës për të mposhtur pushtuesit rusë. E gjithë infrastruktura e lidhur ushtarakisht brenda Rusisë, duke përfshirë transportin, energjinë dhe industrinë ushtarake, tani janë objektiva legjitime pasi Moska ka krijuar një ekonomi lufte. Humbja e Rusisë në Ukrainë do të ndihmojë në garantimin e sigurisë evropiane duke zvogëluar aftësitë ushtarake të Moskës dhe duke konsoliduar pavarësinë e të gjithë fqinjëve. Humbja e Rusisë do t’i dërgojë gjithashtu një sinjal të fortë Pekinit, do të dobësojë ambiciet e Serbisë dhe do të inkurajojë forcat demokratike për të rrëzuar diktatorët e dështuar” – ka potencuar Bugajski.

Advertisement