Politike
Bunkeri bardh e zi i Berishës dhe ai me ngjyra i Ramës. Çfarë na mësuan listat e kandidatëve për deputetë

Duhet të biem të gjithë dakord se, në momentin kur listat e deputetëve të hartuara nga kryetarët e partive dorëzohen në limitet e afateve kohore të KQZ-së, tallja është shija që mbetet pas një procesi që, në mos demokratik, së paku mund të ishte më serioz se kaq.
Partia në pushtet, për të katërtën herë, ka pastruar radhët e saj nga “xhaketat e vjetra”, këtë herë jo për shkak të moshës, por për shkak të molës gërryese të SPAK-ut. Ajo ka ndërtuar një ekip të ri, së paku në moshë. Hermetike deri në momentin e fundit për emrat e listës, PS shpalosi figura të reja me ngjyra, që me gjasë do përpiqen të mbulojnë fasadën e nxirë nga skandalet, korrupsioni dhe arrestimet. Në mandatin e saj të tretë, kjo parti mori goditjet më të forta që politika shqiptare ka parë këto 30 vjet. Goditje që, për hir të së vërtetës, nuk u shfrytëzuan nga opozita, e cila me retorikën e saj kundër drejtësisë nuk mundi të ndërtojë një frymë ndryshimi, duke humbur çdo shans për të qenë konkurruese në zgjedhje.
Aq më shumë bindem për këtë kur shoh listën e kandidatëve për deputetë të PD-së. Ndjesia me lidhet me atë të një shëtitjeje në muzeun e partisë së parë opozitare në Shqipëri dhe jo të një partie që, së paku, dy muaj para zgjedhjeve duhet të reflektojë energji, motivim dhe seriozitet. Edhe primaret nuk arritën dot të jepnin një impuls pozitiv, në mos shkaktuan efektin e kundërt. As në vitin e vështirë 2001 lista e kandidatëve të PD-së nuk ka qenë kaq e vjetëruar, e dalë boje dhe pa asnjë grintë për të qenë alternativë për shqiptarët.
Sali Berisha ka ndërtuar më së miri bunkerin e tij të besnikëve të fundit të një epoke, e cila do të shënojë fundin e PD-së si një parti që mund të qeverisë vendin. Pas zgjedhjeve të 11 majit, kjo parti do të groposet së bashku me qëndrestarët e “rrugicës së shpresës”. As Lulzim Basha me apatine e tij, as Gazment Bardhi me hilet e tij, Jorida Tabaku me qëndrimin pa qëndrim, apo të tjerë të ngjashëm, nuk mundën ta ndryshonin PD-në në opozitën e tretë nga një parti e vjetëruar në një forcë konkurruese. Dhe për këtë jam e bindur se fajin nuk ja ka vetëm Sali Berisha. Nëse kanë qenë të paqartë apo të dyzuar për qëndrimet apo qëllimet e tij, sot të paktën e kanë të qartë se Berisha ia doli të ndërtojë bunkerin e tij bardh e zi, ku do të lejohen të bëhen pjesë vetëm ata që janë të gatshëm të përfundojnë si ushtarët e terrakotave bashkë me komandantin e tyre.
Sa për Edi Ramën, ndoshta kjo është hera më e lehtë e tij për të fituar zgjedhjet, por jo më e thjeshta për të mbajtur pushtetin. Në bunkerin e tij të ngjyrosur bukur kanë hyrë të rinj pa eksperiencë apo barrë mbi supe, por jo rastësisht disa prej tyre, përtej këtij imazhi, janë të mbajtur fort nga fijet e nënndheshme që kontrollojnë mazhorancën në pushtet. Rama, me makinerinë e tij elektorale, mund ta lerë shumë pas “karrocën e dylit” të PD-së, por mekanizmat e makinës së tij janë tashmë të pakalibruara, të vjetëruara dhe të marra peng nga bota e nënndheshme.
Fija e hollë që mban këtë makinë ende në punë është tashmë në duart e atyre që hetojnë çdo dosje apo komunikim që mund të çojë në kolapsin e motorrit elektoral të PS-së. Në këto kushte, për fat të keq të shqiptarëve, sot alternativat kryesore para tyre janë dy bunkerë: njëri bardh e zi dhe tjetri me ngjyra. Të dy nuk janë asgjë më shumë se mburoja për kryetarët e tyre, të cilët, në këto kushte, shpëtimin e shohin njëri te fosilet e PD-së dhe tjetri te anonimët e PS-së.
Sali Berisha dhe Edi Rama nuk i kanë bërë bashkë planet për ta katandisur Shqipërinë në këtë derexhe. Ama fakt mbetet që përgjegjësinë për bunkerizimin e shoqërisë e mbajnë vetëm ata të dy. E nëse, sipas sondazhit të fundit, ata që nuk do të votonin as njërin dhe as tjetrin janë gati 20%, në 12 maj kjo shifër mendoj se do të jetë më e lartë. Sepse në këtë vend besoj se kanë mbetur ende njerëz të lirë që nuk duan të jenë pjesë e asnjë bunkeri, qoftë me ngjyra, qoftë bardh e zi.

