Kronike
“Burgoset” vdekja e Enver Sheshit

Enver Sheshi, i arrestuar për aferën e inceneratorëve të Fierit, ndërroi jetë më 8 janar në QSUT, e teksa vdekja e tij ende nuk është zbardhur. Komiteti Shqiptar i Helsinkit, që prej 32 vitesh vepron në Shqipëri për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, këtë herë hasën në pengesa për të marrë informacion mbi vdekjen e Sheshit, i cili qëndronte në burgun 313 në kryeqytet.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, nuk është lejuar nga drejtuesi i burgut, që të shihte ambientet e paraburgimit të të ndjerit, e po ashtu nuk është njohur me dokumentacionin shoqërues të pranimit të të arrestuarit në burg. Më tej, Prokuroria e Tiranës, u thotë anëtarëve të KSHH, se nuk ka kallëzim për çështjen e humbjes së jetës së Enver Sheshit. E nëse do të kishte një të tillë, prokurorisë i duheshin 5 ditë për verifikim.
Nga Komisariati nr. 4, në Tiranë, mësohet se një oficer i policisë gjyqësore ka kryer veprime lidhur me ngjarjen, si procesverbal për këqyrjen e viktimës dhe kryerjen e ekspertizës mjekoligjore, por opgj-ja, nuk ka vënë në dispozicion asnjë informacion konkret se kujt prokurori i është referuar kjo çështje dhe cila ka qenë mënyrë e njoftimit. Pas këtij informacioni, Komiteti Shqiptar i Helsinkit rikthehet në prokurorinë e Tiranës, ku sërish koordinatorja për të drejtën e informimit, njofton se nuk ka asnjë çështje të regjistruar për vdekjen e Enver Sheshit. Komisariati nr. 4, justifikohet me faktin që dokumentet ende nuk kanë mbërritur në prokurori.
Më tej, informacion kërkohet edhe në Institutin e Mjekësisë ligjore, ku komitetit shqiptar të Helsinkit i është kërkuar që të bëjnë kërkesë zyrtarë për informacion dhe se përgjigjet e autopsisë kërkonin 1 muaj kohë për të dalë. Një kalvar dy ditorë për të burgosur kështu vdekjen e të arrestuarit për aferën e inceneratorëve, Enver Sheshit, 59-vjeç. E gjithë kjo mungesë transparence nga institucionet zyrtare, krijojnë dyshime të patjetërsueshme në sy të organizatave të tilla ndërkombëtare, që monitorojnë proceset e lirive të njeriut në Shqipëri.

