Aktualitet
Burri i Ibrahimajt goditi me thikë drejtorin/ Reagon Policia: I morëm dëshminë dhe ia kaluam Prokurorisë
Policia e Shtetit ka reaguar pas publikimit në media të lajmit se burri i ministres Delina Ibrahimaj është arratisur jashtë shtetit, pasi kishte goditur me thikë një zyrtar të lartë, duke i kërkuar që të jepte dorëheqjen.
Edhe pse ngjarja ka ndodhur në nëntor të vitit të kaluar, ajo u raportua vetëm sot nga mediat. Ndërsa edhe pse kanë kaluar mbi pesë muaj nga hetimet, duket se ende nuk ka asnjë urdhër ndalimi të lëshuar ndaj autorit të dyshuar.
Burri i ministres Delina Ibrahimaj, Andri Ibrahimaj, thuhet se qëlloi me thikë për shkak të detyrës drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Kredive (ATK), Ari Koshaj. Kjo është e vërtetuar edhe me aktin e ekspertizës mjeko-ligjore që thotë se Koshaj ka dy prerje me thikë.
Megjithatë, policia thotë se ka vepruar në përputhje me ligjin, duke njoftuar se e ka referuar ngjarjen për veprën penale “goditje për shkak të detyrës”, ndaj Andri Ibrahimatj.
Njëkohësisht, policia konfirmon se Andri Ibrahimajt i është marrë dëshmia pas ngjarjes dhe është lënë i lirë. Raportohet se Andri Ibrahimaj ndodhet jashtë shtetit prej disa muajsht tashmë.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
“Në lidhje me një lajm të publikuar në disa media për veprimet e Policisë së Shtetit, pas marrjes së një kallëzimi, sqarojmë se:
Më datë 21.11.2023 i është marrë kallëzimi shtetasit E.K. se, në rrugën “Tefta Tashko Koço” është kanosur dhe goditur për shkak të detyrës nga shtetasi A.I. Shtetasit E.K. i është dhënë vendim mjeko-ligjor.
Në vijim të veprimeve dhe në zbatim të detyrave të lëna nga prokurori i procedimit penal u është marrë deklarim shtetasve A.I., E.M. e O.M. dhe materialet janë referuar në prokurori më datë 04.12.2023 për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, në ngarkim të shtetasit A.I.
Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar në përmbushjen e misionit të saj për ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut”, njofton policia.
Ish drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Kredive, Eri Koshaj ka kallëzuar në polici në 20 nëntor 2023, bashkëshortin e ministres Delina Ibrahimaj, se e ka qëlluar me thikë për shkak të detyrës.
Në kallëzim, Koshaj deklaron se ka qenë mëngjes kur ai po ecte në rrugën “Tefta Tashko Koço” dhe prej një lokali ka dalë bashkëshorti i ministres Andi Ibrahimi, i cili i ka kërkuar të sqaroheshin në një ambient aty pranë.