Connect with us

Aktualitet

Bushati: Gaz Bardhi nuk dha asnjë provë që Olsi Rama është përfshirë në trafik droge, por SPAK të hetojë

Andi Bushati, i ftuar në një emision,  ka folur për akuzat e rënda të Gazment Bardhit ndaj vëllait të kryeministrit Rama, Olsi Rama, se ai ka lidhje me trafikun e drogës dhe laboratorin e Xibrakës.

Bushati tha se Gazment Bardhi nuk solli prova për përfshirje të Olsi Ramës në trafikun e drogës, por tha se kjo çështje duhet hetuar nga SPAK, për shkak se ka indicie dhe dyshime.

“Në këtë debat jam në konflikt interesi, sepse unë kam patur miqësi të gjatë në kohë me Olsin në rininë time. Kam tendencën ta shoh për mirë, edhe ju si emision duket sikur kështu po e shihni.

Këtu kemi një debat, Gaz Bardhi thotë Olsi Rama është përfshirë në trafik kokaine. Dëgjuam që Olsi Rama tha që janë shpifje, thotë mund të kem udhëtuar por nuk kam lidhje dhe këtu mbaron kjo çështje. E lexova me vëmendje, mund të jem edhe subjektiv për hir të së shkuarës.

E para, nuk ka deri më sot asnjë provë, që Olsi Rama të jetë përfshirë në trafik kokaine. Por ama, duke mos patur provë të përfshirjes, kemi dyshime të forta që është futur në një mjedis trafiku. Jo vetëm është futur në një mjedis trafiku, por dyshimet janë që si vëllai i kryeministrit, policia dhe prokuroria e ka nxjerrë dosjen me fraksion. Dosja thotë se ka një person të paidentifikuar.

Ky i paidentifikuari, është i njëjti person që ka përdorur makinën e famshme. Bardhi dha edhe nja dy momente, që nuk ishin shumë bindëse. Tha në ditën që kolumbianët do të vinin, Olsi Rama doli jashtë, por në atë ditë mund të kenë dalë shumë shqiptarë jashtë.

Kemi një fakt, që ky person i dyshuar, i paidentifikuar që përdor të njëjtën makinë si trafikantët, kur vjen puna, vendimi i Gjykatës së Apelit që i ka dënuar të tjerët, thotë policia e dekonspiroi operacionin. Ky është vendim gjykate. Dhe dekonspirimi nuk bëri të mundur identifikimin e personave të tjerë.

Gaz Bardhi sot nuk na dha prova, që Olsi Rama ka marrë thasin me kokainë dhe ka shkëmbyër para. Por na dha indicie që prokuroria duhet të merret me këtë çështje. Pra këto dyshimet janë të mjaftueshme që familjari i një njeriu tepër të pushtetshëm të hetohet. E vetmja gjë që kemi të çertifikuar, që kjo dosja me fraksion nuk mund të rrijë më nën shalët e prokurorëtve”, tha Bushati.

Advertisement