Politike

By-Passi i Vlorës, një impakt të jashtëzakonshëm në turizëm

Në By-Passin e Vlorës punohet pa pushim me tre turne për të përmbyllur një prej veprave më të rëndësishme të infrastrukturës me një impakt të jashtëzakonshëm në turizëm. By pass-i jo vetëm afron bregdetin jonian për turistët dhe nxit zhvillimin e një tjetër zone plot potenciale, por do të ofrojë edhe një udhëtim panoramik të llojit më të bukur.
Kryeministri Edi Rama vizitoi në mbrëmje vonë kantierin, në një prej segmenteve, ku po punohet intensivisht për shtrimin me asfalt dhe ndërtimin e urës së katërt të projektit.
“E vizituam këtë segment në muajin maj, kur patën 2 kilometra të shtruara në atë kohë, ndërkohë që sot kemi 12,5 kilometra me asfalt të shtruar. Ndërkohë do të vazhdojmë me 2 kilometra të tjera gjatë fundjavës, për të patur në fillim të javës tjetër 14,5 kilometra të shtruara. Këtu ndodhemi në disa nga kantieret e By pass-it të Vlorës, punojnë edhe natën. Tani jemi me turnin e tretë që ka nisur punë. Jemi në urën e katërt, e gjatë 110 metra dhe jemi drejt përfundimit të urës 1 dhe të urës 5. Ndërkohë po punojmë tek ura e katërt e dytë dhe e tretë,” – u shpreh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila shtoi se ecuria e punimeve ka qenë shumë e kënaqshme. “Puna ka ecur mirë. Na ka ndihmuar dhe moti, pasi nuk kemi patur reshje. Kompania ka ecur pa e ndërprerë asnjë moment punën. Ecuria e punimeve është e kënaqshme. Është 60% deri tani dhe duke marrë parasysh vetëm pengesën që kemi patur në zonën e Kaninës për shkak të të gjitha pronave që janë në shpronësim me problemet e dokumentacionit që kemi hasur, pasi edhe qytetarët e kanë të vështirë të mbledhin dokumentet, megjithatë, ARRSH është duke punuar dhe po i ndihmon për të bërë dosjet. Kemi bërë shpronësimin e vlerës 60 milionë deri tani dhe do të vazhdojmë me dosjet e tjera,” – tha ajo.
Urat  po ndërtohen sipas të gjitha parametrave të sigurisë, duke rikalkuluar koeficientët sizmikë për një siguri sa më të lartë. “Këtu jemi tek ura e katërt kilometri i 19. Pika më e lartë këtu arrin deri në 48 metra. Ka 5 hapësira drite. Është një vepër arti që  ka katër muaj që po ndërtohet. Kemi rikalkuluar në bazë të tërmetit koeficientët sizmikë në pjesën e sipërme. Kam shumë besim që në 15 janar, ne e përfundojmë urën 4 dhe urën 3. Ura 1 dhe 5 tashmë ka mbaruar, është vetëm për shtesat asfaltike. Punohet 24 orë. Vepra në tërësi pritet të mbarojë në fund të shkurtit, në fillim të marsit.” – shpjegoi drejtuesi i punimeve, i cili tha gjithashtu se është zgjidhur më së miri edhe problemi i gjelbërimit.
Ministrja e Infrastrukturës Balluku theksoi se ecuria e veprës ka qenë shumë e mirë edhe falë bashkëpunimit me financuesit. “Edhe bashkëpunimi me financuasit, duke qenë se ky është një projekt 38 milionë euro, i cili financohet nga BEI dhe nga Komisioni Europian, ka dhe një pjesë granti, padyshim marrëdhënia eshtë shumë  e mirë. Kemi mbajtur kontakte vazhdimisht me ta. Nuk kemi patur asgjë të prapambetur nga momenti që e kemi zgjidhur ngërçin që kemi patur dhe vazhdimin e punimeve nga maji i vitit të kaluar,” – u shpreh ajo.
Kryeministri Rama vlerësoi punën madhore të bërë deri tani nga ndërtuesit, ndërkohë që Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli u shpreh se volumi i punës së realizuar është impresionues. “Një volum i pabesueshëm punimesh, sa ndonjëherë duket e pabesueshme për ata njerëz që nuk kanë ardhur ndonjëherë këtu. Volumi i punës është impresionues, vërtetë,” – u shpreh ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version