Connect with us

Shkrime

Bytyçi shprehet i zhgënjyer me Kurtin, tregon çfarë po tenton të korrigjojë Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar një takim me partitë opozitare në lidhje me draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Lidhur më këtë iniciativë, ka folur profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi.
“Është hera e dytë që presidentja Osmani reagon lidhur me projektin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke dhënë njëlloj alarmi përsa i përket disa aspekteve të marrëveshjes që pritet të firmoset. Duhet ditur se marrëveshja është pranuar në parim nga ana e kryeministrit Kurti. Sigurisht që dakordësia për ta dërguar për verifikim në Gjykatë Kushtetuese para se ajo marrëveshje të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, është diçka e rëndësishme dhe një lloj sigurese. Por për mendimin tim kjo është e pamjaftueshme” – ka deklaruar Bytyçi, duke shtuar se – “Kosova ka një përvojë të gjatë prej më shumë se një dekadë përsa i përket përpjekjeve dhe draft-marrëveshjeve për të ngritur këtë lloj Asociacioni.
Por profesoti është shprehur i habitur me kryeministrin Albin Kurti, për të cilin, tha se tanimë e ka pranuar formimin e Asociacionit.
“Unë e kuptoj pozicionin shumë të vështirë të Kurtit në raport me disa ndërkombëtarë evropianë, sidomos ata francezë, por edhe me Borrellin dhe Lajçakun. Por sinqerisht nuk kam pritur se do të pajtohet kaq shpejt me një Asociacion, për të cilin ka shumë vërejtje dhe madje është e shqetësuar edhe kryetarja e shtetit. Megjithatë tani jemi para një situate të re të krijuar pas angazhimit të Kurti për krijimin e këtij Asociacioni. E shoh me vend gjithashtu kritikën e Ramush Haradinaj, kur pyet se pse kryeministri i Kosovës nuk hartoi një draft statut të qeverisë për ta paraqitur si alternativë në Bruksel. Me Haradinaj-n nuk jam pajtuar me shumë kritika emocionale të tij kundër qeverisë. Por në këtë rast mendoj se ka të drejtë” – theksoi Bytyçi, duke shtuar se ka një shpresë, që presidentja Osmani po tenton të korrigjojë ose riparojë çfarë mund të riparohet në atë marrëveshje.
Bytyçi gjithashtu deklaroi se iniciativa e Osmanit i afron partitë opozitare në një qëndrim të unifikuar përsa i përket dialogut në përgjithësi dhe krijimit të Asociacionit në veçanti.“Shpresoj shumë se Kurti do të gjejë mirëkuptim të plotë me Osmanin dhe do të punojnë bashkë me opozitën për të gjetur një konsensus të plotë me të gjithë aktorët” – potencoi profesori I njohur, duke kërkuar aktorë jashtë kufijve të Kosovës, përfshirë dhe ata të Shqipërisë, duhet të mbahen larg.
“Unë i përkas Shqipërisë dhe sinqerisht nëse vërej se bëj sado pak dëm me qëndrimet e mia, jam gati të hesht. Por nëse jap ndonjë këshillë që më buron nga informacioni teorik, bindjet dhe zemra, kjo besoj vetëm se ndihmon. Bashkësia ndërkombëtare perëndimore po kërkon vazhdimisht që të zbatohet marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Edhe unë mendoj se koha është në fundin e saj. Jo vetëm për shkak të planeve ruse e serbe për destabilizim të Kosovës e të rajonit, por edhe për shkak të zhvillimeve të paparashikueshme gjatë vitit të ardhshëm elektoral në BE e në SHBA. Por kjo nuk do të thotë se duhet zhbërë Kosova në këmbim të shpejtimit në kohë. Koha dhe hapësira janë dy elementët kryesorë të analizave filozofike e për pasojë edhe politike e teorike. I lumtur është ai që i kombinon dhe harmonizon në ekuilibër këta dy elementë” – deklaroi Enver Bytyçi

 

Advertisement