Kosova
Caktohen tre lojtarët që kanë fatin e Kosovës në dorë
Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës së shpejti do të ketë një fytyrë tjetër, sepse të paktën dy nga figurat e rëndësishme të tij do të ndryshojnë, sipas medias serbe, pranë qeverisë, “Blic”.
Sipas saj, ndërmjetësi që drejton dialogun në emër të Bashkimit Evropian, por edhe personi i besuar nga Departamenti i Shtetit, përgjegjës për këtë çështje do të largohen nga postet aktuale.
“Miroslav Lajçak largohet nga Brukseli dhe Gabriel Escobar po kalon në një pozicion të ri në Uashington dhe dilema është nëse Josep Borell si Përfaqësues i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri do t’i zgjatet mandati”, shkruan media serbe.
E gjithë kjo çon në dyshime nëse dhe si njerëzit e rinj do ta nisin dialogun nga ngërçi dhe nëse lojtarët e rinj do të sjellin një ndryshim, dhe bashkëbiseduesit tregojnë se kushdo që të vijë do të ketë detyra të qarta që e presin në tavolinë.
Sreçko Gjukiç, një ish-diplomat, tha se pyetja e vërtetë është se si do të duket dialogu në të ardhmen.
“Është pozitive që ka një ndryshim te ndërmjetësuesit. Nëse negociatorët kryesorë nuk mund të ndryshohen, ndërmjetësit mund të ndryshohen. Kjo nuk do të thotë aspak se Lajçak dhe të tjerët nuk kanë pasur sukses, përkundrazi. Ata krijuan një bazë ligjore për normalizimin e marrëdhënieve. Tani duhet të plotësohet. Besoj se një ndërmjetës i ri me ide, metoda, përvojë dhe qasje të reja do të jetë në gjendje ta përfundojë punën shumë përpara përfundimit të mandatit të tij” – deklaroi ish ambasadori duke shtuar: – “Nga përvoja e zhvillimit të negociatave diplomatike, ndryshimet dhe freskimet janë të dobishme,”
Megjithatë, ka disa ndryshime të rëndësishme që priten, duke filluar me ndryshimin e postit të Escobar.
Media serbe kujton se ai nuk ishte zyrtarisht pjesë e dialogut, por paraqitej në bisedimet në Bruksel apo Beograd sa herë që kishte ngërç. Javën e kaluar u përhap lajmi se ai do kalonte në një pozicion të ri, një vit para skadimit të mandatit dhe vetëm gjysmë viti para zgjedhjeve në SHBA.
Zoran Milivojeviç, diplomat në pension, tha se “është e qartë se vlerësimi i amerikanëve është se ata duhet të luajnë pak më shumë kartën e Serbisë, veçanërisht duke marrë parasysh rezultatet e zgjedhjeve në dhjetor dhe qeverinë e re”.