Kosova
Cameron meriton dënimin më të ashpër/ Ivica Daçiç për deklaratën e ministrit britanik
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç tha që deklarata e ministrit të Jashtëm britanik David Cameron, se Britania e Madhe do të ndihmojë Kosovën të marrë njohje të reja, është jashtëzakonisht hipokrite dhe meriton dënimin më të ashpër.
Duke folur për “Tanjug”, ai kritikoi Cameronin se i njëjti “nuk tha asnjë fjalë” për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe refuzimin e qeverisë në Prishtinë, për implementimin e Marrëveshjes së Brukselit në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Daçiç po ashtu u shpreh se ministri i Jashtëm britanik “nuk tha asnjë fjalë për terrorin dhe dëbimin e dhunshëm të më shumë se 200 mijë serbëve nga Kosova, si dhe për shkatërrimin atje të kishave dhe manastireve të krishtera serbe të kohës së Mesjetës”, ndërkaq i njëjti i premton Kosovës “ndihmë me njohje të reja dhe pranim në institucionet ndërkombëtare”.
Sekretari i Jashtëm britanik, gjatë vizitës së tij të enjten në Prishtinë, theksoi se Britania e Madhe do ta ndihmojë Kosovën në aspiratat.
Gjatë një deklarate para mediave, i shoqëruar nga ministrja e jashtme Donika Gërvalla, Cameron potencoi rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor duke thënë se Britania e Madhe po investon për këtë qëllim.