Pinknews
Celine Dion vuan nga një sëmundje e pashërueshme
Këngëtarja e njohur Celine Dion ndau me ndjekësit e saj në Instagram se vuan nga një çrregullim neurologjik i pashërueshëm i njohur si “Stiff Person Syndrome” (SPS) që e ka bërë të anulojë turneun e saj europian.
“Kam pasur probleme shëndetësore për një kohë të gjatë dhe është e vështirë për mua të përballem me ato sfida dhe të flas për gjithçka që po kaloj,” – tha këngëtarja.
“Kohët e fundit jam diagnostikuar me një çrregullim neurologjik shumë të rrallë të quajtur sindromi i personit të ngurtë, i cili prek një në një milionë njerëz. Fatkeqësisht, kjo ndikon në çdo pjesë të jetës sime të përditshme, duke më shkaktuar vështirësi në ecje dhe duke mos më lejuar të përdor kordat e mia vokale për të kënduar si dikur,” – shtoi Dion me lot në sy.
Në janar, këngëtarja 54-vjeçare zbuloi se vuante nga “ngërçe të rënda dhe të vazhdueshme të muskujve” kur anuloi turneun e saj botëror “Courage” në Amerikën e Veriut.