Politike
Çështja Balluku/ Kikia: PS-ja në të drejtën e saj të mos e votojë kërkesën për të rënduar masën e sigurisë
Analisti politik Mentor Kikia tha se çështja “Balluku” duhet ndarë nga dinamikat politike që u kthyen në kryetemën e mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së.
I ftuar në studio Kikia u shpreh se mazhoranca është në të drejtën e saj të mos votojë kërkesën e prokurorisë për rëndimin e masës ndaj znj.Belinda Ballukut.
Ai argumentoi se pezullimi nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë vendit, konsiderohen masa të mjaftueshme nga prokuroria, duke qenë edhe kërkesa fillestare e saj.
Pjesë nga biseda:
Kikia: Do doja që në këto zhvillime të ndaja çështjen Balluku nga çështja që u shndërrua në kryetemën e mbledhjes së PS. Partia Socialiste është në të drejtën e saj të mos e votojë kërkesën e prokurorisë për të rënduar masën e Ballukut.
Borakaj: Pse e zgjasin kaq shumë, nga 31 tetori deri më tani?
Kikia: Është çështje këndvështrimesh. Masa e ndalimit të lëvizjes dhe mos pasjes në dorë apo akses për të tjetërsuar provat etj. janë mjaftueshëm për prokurorinë, pasi kjo ishte edhe kërkesa e parë e prokurorisë. Shqetësimi i madh që po kaplon është përtej çështjes Balluku. Është ndërhyrja në raportin politikë-gjyqësor. Çështja Balluku, siç u shndërrua në rrufepritësen e të gjitha kritikëve, u shndërrua edhe në kauzën e madhe nga mazhoranca për të vendosur një mur. Dhe e theksoj, muri nuk u vendos për çështjen Balluku. Muri u vendos për të ndaluar veprime të tjera të gjyqësorit në atë që Rama e quajti “oborri ynë”. Aksioni politik i mazhorancës ndaj sistemit të drejtësisë, që mund të nisë me veprime ligjore për të mbyllur dyer e dritare e për të ngritur barriera, ky është shqetësimi kryesor.