Connect with us

Aktualitet

Çfarë duhet të dimë për 8 marsin?

Çfarë është Dita Ndërkombëtare e Gruas? E keni vënë re të shënuar edhe në kalendar, megjithëse nuk na duhen ditë pushimi të përcaktuara në kalendar për të festuar forcën dhe kurajën e grave, sepse ato janë aq të jashtëzakonshme sa duhet të festojnë çdo ditë, por është mirë që ekziston kjo ditë për të vlerësuar punën e tyre dhe për të theksuar barazinë gjinore.

Zhvillimi i grave që nga Dita e parë Ndërkombëtare e Gruas në vitin 1908 deri sot është mbresëlënës. Gjithçka filloi kur 15,000 gra të mrekullueshme marshuan në rrugët e New York-ut atë vit, duke kërkuar më pak orë pune, rrogë më të mirë dhe të drejtën e votës.

Sot, jo vetëm që gratë janë duke votuar, por gjithashtu ka pasur zgjedhje për presidenten e parë grua. Edhe pse është dashur një shekull që të arrihet deri këtu, ndryshimi nuk ndodh brenda ditës. Prandaj, për të falenderuar ato 15,000 gra që marshuan atë ditë, merrni pak kohë për të kuptuar se çfarë nënkupton kjo festë me të vërtetë.

Nuk festohej gjithmonë në 8 Mars

Në fillim Dita Ndërkombëtare e Gruas nuk festohej në ditën e 8 Marsit, por në 28 Shkurt. Më vonë, në vitin 1913-1914, gratë në Rusi e festuan Ditën Ndërkombëtare të Gruas të dielën e fundit të Shkurtit. Që atëherë, kjo festë është transferuar në 8 Mars.

Kuptimi i kësaj dite ka evoluar

Filloi si një protestë masive nga gratë që kërkonin kushte më të mira pune, rrogë më të mirë dhe të drejtën e votës. Por, që atëherë, kjo ditë ka evoluar deri në theksimin e progresit të gruas, në betejën e vazhdueshme për barazi gjinore dhe në ditën që shfaq problemet që prekin drejtpërdrejt gratë.

Është një festë zyrtare në mbi 25 vende

Dita ndërkombëtare e gruas njihet në mbi 27 vende, duke përfshirë Kinën, Vietnamin, Ugandën, Afganistanin, Kubën dhe Rusinë.

Filloi si një ditë dhe tani festohet për gjithë muajin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës tani përdorin të gjithë muajin Mars për të festuar gratë e gjithë historisë. E meritojnë totalisht apo jo?

Hilary Clinton ndihmoi që kjo ditë të rifitonte rëndësinë e saj

Përpara se Clinton të fillonte fushatën e saj presidenciale, ajo nxorri projektin “100 Eomen Initiative: Empowering Women and Girls Through International Exchanges” në vitin 2011, si një mënyrë për të festuar ditën e grave në mbarë botën.

Google i adhuron femrat

Sigurohuni që të kontrolloni faqen kryesore të Google-it në 8 Mars, sepse ka disa vite rresht që i nderon gratë në këtë ditë me një mesazh apo logo të veçantë.

Nuk festohet vetëm nga gratë

Ish-presidenti Obama ishte përgjegjësi i krijimit të muajit Mars si Muaji i Gruas në Histori, duke filluar nga viti 2011. Edhe pse kjo ditë u krijua nga gratë për gratë, nderohet çdo vit nga gjithnjë e më shumë burra të cilët e kutpojnë rëndësinë e barazisë gjinore. Sa më shumë aq më mirë!

Mund të veproni

Ka shumë mënyra se si mund të jeni pjesë e Ditës Ndërkombëtare të Gruas edhe këtë vit. Mund të ndërmerrni veprime dhe të vazhdoni betejën paqësore për të pasur gjithmonë të drejta të barabarta.

Aktualitet

Investigimi/ Skema e “mashtrimit” me kreditë çon guvernatorin Sejko në SPAK

Prokuroria e Tiranës vlerëson se guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko duhet të hetohet për “shpërdorim detyre” nga SPAK, pasi dyshohet se mori masa të vonuara dhe të papërshtatshme për të frenuar skemën e dyshuar të mashtrimit ndaj mijëra qytetarëve nga shoqëria e mikrokredive MCA.

Në vitin 2016, Kristo Puleshi nuk e mori seriozisht kërkesën e zyrës Albanian Debt Collection Agency, ADCA, për të paguar një detyrim prej 58 mijë lekësh. Në shkresën që zyra ligjore i nisi për llogari të institucionit Micro Credit Albania, MCA, ai njoftohej se rezultonte dorëzanës i një kredie të marrë nga shoku i tij i fëmijërisë me vlerë 30 mijë lekë – kredi e cila ishte gati dyfishuar dhe pretendohej se nuk ishte shlyer asnjëherë.

Në një kallëzim të mëvonshëm në Prokurori, Puleshi tha se i injoroi shkresat, mesazhet dhe telefonatat për gjashtë vjet me radhë, pasi nuk kishte lidhje me kredinë dhe atësia në njoftime nuk përkonte me emrin e babait të tij.

Por në tetor 2022, ai mori një mesazh që nuk mund ta injoronte: apartamenti i tij në rrugën « Myslym Shyri » në Tiranë, ku banonte me bashkëshorten dhe dy fëmijët, ishte vendosur nën sekuestro.

Dokumentet e një hetimi të kryer nga Prokuroria e Tiranës, të cilat BIRN i disponon, tregojnë se Puleshi dhe miku i tij i fëmijërisë u përpoqën që të hetonin vetë se çfarë kishte ndodhur dhe pasi nuk gjetën zgjidhje, iu drejtuan me një kallëzim organit të akuzës në kryeqytet.

Përpara hetuesve, ata deklaruan se nuk kanë marrë ndonjëherë kredi dhe se procedurat përmbarimore ishin kryer në shkelje të ligjeve. Një akt ekspertimi i kaligrafisë në kontratën e kredisë doli gjithashtu në përfundimin se firmat e tyre ishin falsifikuar.

Kristo Puleshi raportohet se është vetëm një nga mijëra viktimat e një skeme të dyshuar abuzimi me mikrokreditë që vazhdon prej të paktën 9 vitesh në Shqipëri. Një hetim administrativ i kryer nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020 zbuloi se rreth 17 mijë individë ishin dëmtuar me penalitete të padrejta, sekuestrim pronash si dhe shkelje të procedurave përmbarimore.

Sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë, në skemën e mbledhjes së detyrimeve ishte përfshirë shoqëria Micro Credit Albania si dhe një grup zyrash private të përmbarimit, noterë dhe shoqëri të tjera të lidhura me të.

Ndërkohë, një hetim i kryer nga Prokuroria e Tiranës vlerëson se përgjegjësitë mund të shtrihen deri te Banka e Shqipërisë dhe guvernatori i saj, Gent Sejko.

Përmes një vendimi të 17 prillit, Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën dhe i kërkoi Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që të kryente hetime të mëtejshme ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për veprën e “shpërdorimit të detyrës” dhe shoqërisë MCA veprat e mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

“Veprimtaria e MCA shpk rezulton që në mënyrë të vazhdueshme ka penalizuar interesat e ligjshme të individëve kredimarrës, e cila ka qenë në bashkëpunim me përmbaruesit gjyqësorë si dhe lindin dyshime se mund të ketë pasur bashkëpunim edhe me punonjës të Bankës së Shqipërisë,”  thuhet në vendim e shpalljes së moskompetencës.

E pyetur nga BIRN për referimin e guvernatorit Sejko në SPAK, Banka e Shqipërisë tha përmes një zëdhënësi se nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar.

“Nëse do të kemi komunikim zyrtar prej çdo organi procedimi penal, Banka e Shqipërisë do të jetë në dispozicion për të dhënë sqarimet dhe informacionet e duhura,” tha BSH.

Shoqëria “Micro Credit Albania” i mohoi akuzat për mashtrimin dhe penalizimin e kredimarrësve, ndërsa këmbënguli se e kishte bazuar aktivitetin e saj në ligjshmërinë e përcaktuar në akte, kontrata dhe vendime gjyqësore.

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë përgjegjësi penale kur ekziston vendimi i gjykatës ; subjekti që vendimi i gjykatës e konsideron ‘kreditor të një detyrimi’ nuk mashtron duke u shfaqur si ‘kreditor’, sepse një titull të tillë ia jep vendimi i gjykatës, ndërsa subjekti që vendimi i gjykatës e certifikon si ‘debitor’ nuk mund të marrë pozitën e ‘një viktime të veprës penale’ sado kallëzime të nënshkruajë/ depozitojë në Prokurori,” pretendoi MCA.

Biznesi i kredive të këqija

Foto: Një sasi parash në cash

Micro Credit Albania u themelua në maj të vitit 2014 nga ortakja e vetme, Elda Ibro, një kontabiliste në profesion, dhe u licensua më pas nga Banka e Shqipërisë për kryerjen e aktivitetit të mikrokredisë. MCA operoi më pas edhe në tregun e blerjes dhe ekzekutimit të kredive me probleme nga institucione të tjera bankare dhe jobankare.

Pas ankesave të shumta të qytetarëve, Departamenti i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë nisi në korrik të vitit 2020 një ekzaminim tematik për shoqërinë MCA, ku të katër elementët e vlerësimit dolën në nivelin më të lartë të rrezikshmërisë të klasifikuar në kategorinë 4.

Sipas raportit të Departamentit të Mbikëqyrjes, subjekti MCA operonte në bashkëpunim me shoqërinë e licensuar në fushën e kredisë, Final, zyrën ligjore ADCA dhe shërbimet përmbarimore ZIG, Flash dhe Star.

Grupi i inspektorëve gjeti gjithashtu se në 5 vite të operimit, MCA nuk kishte depozituar asnjëherë pasqyra financiare të audituara, ndërsa dy shoqëri auditimi ndërkombëtare kishin refuzuar të jepnin opinion. Deri në korrik të vitit 2020, MCA kishte blerë 85 milionë euro kredi të pashlyera nga dhjetë institucione të ndryshme banka dhe jo banka, duke paguar vetëm 2-3% të vlerës së tyre dhe më pas kosto e blerjes është rritur në 10 dhe 20% vitet në vijim.

Sipas raportit, MCA kishte paguar rreth 5.2 milionë euro për portofolin e kredive prej 85 milionë euro dhe kishte rikuperuar nga kredimarrësit rreth 10.7 milionë euro, duke siguruar një fitim operativ dy herë më të lartë.

Grupi i inspektorëve gjeti gjithashtu se MCA ndoqi një strategji të mbledhjes së plotë të detyrimeve, pa ofruar zbritje, ndërsa vendosi për paketat e ristrukturimit të kredive të këqija « norma penaliteti shumë të larta 2% në ditë ose 730% në vit».

Hetimet e kryera nga Prokuroria e Tiranës dhe një hetim administrativ i Ministrisë së Drejtësisë hedhin edhe më tej dritë mbi natyrën e biznesit që ndiqte MCA, përmes shtrëngimit të kushteve për të dhënë kredi. Pasi blinte kreditë e këqija deri në 10% të vlerës së tyre, MCA kërkonte kthimin në masën 100%, duke vendosur edhe penalitete, kamata dhe tarifa përmbarimore. Të gjendur ngushtë, kreditorëve që u ishin bllokuar pronat, detyroheshin të firmosnin kontrata kredie me norma interesi deri në 25%.

Pas gjetjeve të Departamentit të Mbikëqyrjes në vitin 2020, Banka e Shqipërisë ndryshoi rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe hipotekore”, duke përcaktuar që masa e penaliteteve të mos kalonte 30% të detyrimit kontraktor. Por edhe pas këtij vendimi dhe  rekomandimeve të lëna për shoqërinë MCA, shkeljet vazhduan.

Dyshimet për rolin e guvernatorit

Më 29 dhjetor 2022, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko vendosi të pezullojë licensën e subjektit financiar jo-bankë ‘Micro Credit Albania’ për kredidhënien, por i lejoi asaj që të vazhdonte aktivitetin e mbledhjes së detyrimeve për portofolet e kredive të blera.

Megjithatë, Prokuroria e Tiranës vlerëson se ky vendim ishte jo vetëm i vonuar, por edhe papërshtatshëm në raport me shkeljet e konstatuara.

Hetimi ngre gjithashtu dyshime se masa e pezullimit u parapri nga një korrespondencë mes shoqërisë MCA dhe Bankës së Shqipërisë. Më 14 dhjetor 2022, ortaku i subjektit Micro Credit Albania i është drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me një mesazh elektronik, ku parashtrohen përpjekjet e kryera për realizimin e rekomandimeve, si dhe kërkohet që të merren në konsideratë masa alternative, të tilla që të mos bllokojnë tërësisht aktivitetin e subjektit.

“Masa e marrë nuk është në raport me shkeljet e konstatura nga vetë specialistët e Bankës së Shqipërisë dhe shkeljet e kryera në mënyrë të përsëritur janë të një karakteri tepër të rëndë. Vazhdimësia e aktivitetit të këtij institucioni financiar me problematika dhe shkelje të përsëritura është me pasoja tepër të mëdha financiare në dëm të qytetarëve,“ thuhet në vendimin e Prokurorisë së Tiranës.

Prokuroria vlerëson gjithashtu se edhe pse ishte e njohur prej dy vitesh me problematikat e shkaktuara nga MCA, Banka e Shqipërisë nuk kishte marrë më parë asnjë hap konkret për të frenuar dhe monitoruar blerjen e kredive tek subjektet e tjera.

E pyetur në Prokurori, një punonjëse e Bankës së Shqipërisë e justifikoi tolerimin në pezullimin e fundit të MCA me rrezikun e pasojave. Sipas dokumentit, ajo deklaroi se nuk mund të merrej një masë radikale, pasi rrezikonin që subjekti të ndërpriste deklarimin në regjistrin e kredive, në kohën që “kishte ende 20 mijë kontrata kredie në administrim“.

Gjithsesi, Prokuroria e Tiranës vlerëson se Banka e Shqipërisë nuk disponon të dhëna të sakta se sa është numri i kredive të blera nga MCA dhe se veprimtaria e kësaj të fundit ishte pothuajse jashtë monitorimit. Ajo ka ngritur gjithashtu dyshime se shoqëria e mikrokredive u favorizua që në fazat e para të licensimit në vitet 2015-2016.

Banka e Shqipërisë miratoi në mars të vitit 2016 një rregullore që mundësonte shitjen e kredive të këqija të bankave, por sipas hetimit, MCA dyshohet se e kryente më përpara këtë aktivitet. Në maj të vitit 2016, ajo u pajis me një licensë të re, çka sipas Prokurorisë ngre dyshime se  infrastruktura ligjore u përshtat “në funksion të aktivitetit të kësaj shoqërie“.

Punonjësit e Bankës Qendrore pretenduan para prokurorëve se ndryshimi i rregullores u bazua në “Planin e masave për kreditë me probleme“, i hartuar nga një Grupi ndërinstitucional i koordinuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, i ngritur me urdhër të Kryeministrit në qershor të vitit 2015.

Bazuar mbi këto të dhëna, Prokuroria e Tiranës vlerësoi se rezulton e nevojshme “të hetohen zyrtarë të lartë si guvernatori i Bankës së Shqipërisë për veprën penale shpërdorimi i detyrës“, kompetencë kjo e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Për shoqërinë MCA me administratore Elda Ibro, Prokuroria vlerëson se nevojiten hetime për veprat penale të mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, të dyshuara këto si të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

I pyetur nga BIRN nëse i kishte marrë apo vlerësuar aktet e dërguara nga Prokuroria e Tiranës, SPAK tha përmes një zëdhënëseje se „nuk ka asnjë përgjigje apo koment për të komunikuar“.

Rrjeti i mikrokredive

Dokumente të siguruara nga BIRN nga Ministria e Drejtësisë, Banka e Shqipërisë dhe Prokuroria e Tiranës tregojnë se skema e dyshuar kishte në qendër pronaren e MCA, Elda Ibro dhe bashkëshortin e saj, Olsi Ibro që drejtonte studion ligjore, ADCA.

Gjithashtu, Micro Credit Albania ndërvepronte me institucioni jo-bankar Final dhe zyrat përmbarimore Zig, Flash dhe Star me pronarë një grup personash të lidhur me njëri-tjetrin.

Miliona euro në llogaritë e Ibros

Prokuroria e Tiranës dyshon se pronarja e shoqërisë MCA është larguar jashtë Shqipërisë, por një pjesë e fitimeve të saj ndodhen në Shqipëri. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se Elda Ibro zotëronte likujditete banke në vlerën e 1.1 milionë eurove dhe 224 milionë lekëve [2.2 miilion euro] në një bankë të nivelit të dytë. Në një bankë tjetër të nivelit të dytë, ajo zotëronte llogari me vlerë 60 milionë lekë, të cilat ia kishte kaluar pronarit të kompanive përmbarimore të angazhuar në mbledhjen e kredive të këqija.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, vlera të tilla janë shumë herë më të mëdha sesa dividenti prej 141.6 milionë lekësh [1.4 milion euro] që kjo shoqëri kishte shpërndarë si fitim. Nisur nga këto mospërputhje, hetuesit e Tiranës thonë se i kanë kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që të kryejnë një kontroll të thelluar për shoqërinë MCA – në mënyrë që të kenë mundësi që të bëjnë një analizë mes të ardhurave dhe shpenzimeve të saj.

Pas pezullimit të licencës në dhënien e kredive, MCA ka nisur të punojë në një tjetër drejtim, atë marrjes së pronave të patundshme të debitorëve. Prokuroria konstaton se disa përmbarues kanë dhënë vulën me qira pranë shoqërisë MCA, ndërsa kjo e fundit ka kontraktuar ekspertë vlerësues për të ulur vlerën e pasurive.

Prokuroria ka administruar dy shkresa të nisura guvernatorit Sejko nga ministri i Drejtësisë dhe Dhoma e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë për ta vënë në dijeni me çfarë po ndodhte, por Banka Qëndrore i ka trajtuar këto probleme si të natyrës juridike -civile dhe pse të njëjtat gjetje ishin konstatuar nga inspektimet e bëra nga vetë Banka e Shqipërisë, thotë prokuroria.

“Konstatime për dyshime të veprimtarisë së paligjshme, Bankës së Shqipërisë i kanë shkuar dhe nga banka të nivelit të dytë, materiale që administrohen në këtë fshikull hetimor,“ thuhet në relacion.

Prokuroria ka konstatuar dhe një numër përmbaruesish privatë që kanë shkelur rregullat dhe kanë bashkëpunuar me subjektin MCA, ndërsa ka konstatuar se veprimtaria e monitorimit të shërbimit përmbarimor nga Ministria e Drejtësisë nuk është disiplinuar. Sipas hetimit, nuk disponohen kopje të urdhrave të ekzekutimit, konfirmime për pagesën e tarifës si dhe nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë për të bashkërenduar punën me organet tatimore.

Shoqëria MCA i tha BIRN në përgjigjen me shkrim se gjatë 9 viteve të aktivitetit të saj nuk ka marrë në posedim asnjë pasuri apo send të paluajtshëm të debitorëve, por pretendoi se ishte përfshirë pa vullnetin e saj “në një luftë të brendshme brenda llojit“ mes përmbaruesve që e kishin dëmtuar atë.

„..në çdo rast, debitorit nuk i tjetërsohen pasuritë e patundshme sepse asnjë debitor nuk është nxjerrë nga shtëpia e tij, por i ndalohet nëpërmjet vënies së sekuestros konservative që ta shesë dhe t’i shmanget shlyerjes së detyrimit,“ tha MCA.

Pavarësisht falsifikimit të firmës dhe kallëzimit në Prokurori, njëri prej viktimave deklaroi në Prokurori se vazhdoi të përndiqej për vite me radhë për kredinë që nuk e kishte marrë asnjëherë.

“Edhe sot që kanë kaluar 17 vjet nga koha e marrjes… nga përmbaruesi vijnë mesazhe në telefonin tim me tekst; Detyrimi juaj i kredisë ende nuk është shlyer,“ dëshmoi ai

Continue Reading

Aktualitet

Qeveria ndan buxhetin për bashkësitë fetare, më shumë përfiton Komuniteti Mysliman

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për financimin e bashkësive fetare në vend që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave.

Në buxhetin e vitit 2024 janë përcaktuar 113 milionë lekë të reja për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, prej të cilave Komuniteti Mysliman përfiton më shumë; 33 840 000 lekë, ndërsa Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike dhe Kryegjyshata botërore përfitojnë në mënyrë të barabartë nga 26 400 000 lekë.

V E N D I M

PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT NË BUXHETIN E VITIT 2024 PËR BASHKËSITË FETARE, QË KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE ME KËSHILLIN E MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 2, 3, 4, 5 e 6, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin, nga buxheti i shtetit, të bashkësive fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, dhe të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Masa e financimit, prej 113 000 000 (njëqind e trembëdhjetë milionë) lekësh, nga buxheti i vitit 2024, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, përdoret, si më poshtë vijon:

a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 33 840 000 (tridhjetë e tre milionë e tetëqind e dyzet mijë) lekë, të ndarë në:

i. 17 040 000 (shtatëmbëdhjetë milionë e dyzet mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 71 (shtatëdhjetë e një) punonjës të administratës;

ii. 16 800 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 70 (shtatëdhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 26 400 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind e mijë) lekë, të ndarë në:

i. 13 200 000 (trembëdhjetë milionë e dyqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 55 (pesëdhjetë e pesë) punonjës të administratës;

ii. 13 200 000 (trembëdhjetë milionë e dyqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 55 (pesëdhjetë e pesë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 26 400 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind mijë) lekë, të ndarë në:

i. 9 600 000 (nëntë milionë e gjashtëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 (dyzet) punonjës të administratës;

ii. 16 800 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 70 (shtatëdhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

ç) Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 26 360 000 (njëzet e gjashtë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, të ndarë në:

i. 6 000 000 (gjashtë milionë) lekë për financimin, deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 25 (njëzet e pesë) punonjës të administratës;

ii. 13 360 000 (trembëdhjetë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, si kontribut në ndërtimin e Teqesë së Shtufit, Gjirokastër;

iii. 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore, me qendër në Tiranë dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit, që do të përdoret për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesëpreventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2024, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur.

2. Kalimi i fondit, përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, bëhet njëherësh, brenda muajit maj, të vitit 2024.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Continue Reading

Aktualitet

‘Nuk është gazetar, por prokuror’/ Bregu: Dumani të publikojë emrat e policëve të inkriminuar

Gazetari Sokol Bregu tha se kreu i SPAK Altin Dumani duhet të dalë me emra në lidhje me eksponentët e inkriminuar në Policinë e Shtetit. Sipas Bregut, vetingu në Policinë e Shtetit duhej bërë në një mënyrë ndryshe.

“Akuzën duhet ta vërtetojë me prova z.Dumani. Nëse z.Dumani njeh persona të inkriminuar në Policinë e Shtetit dhe i lë në detyrë, kjo do ishte e pafalshme për rendin dhe sigurinë publike. Nëse i referohet rasteve që mund t’i ketë në hetim, apo të disa personave të arrestuar që kanë qenë ‘uniforma blu’, ka pasur disa arreste në polici, por s’mund të kemi përgjithësim. Sepse unë njoh një numër të lartë oficerësh policie, që drejtojnë sektorin e tyre, që janë njerëz me reputacion më të madh, jo vetëm brenda Policisë së Shtetit, por edhe në shoqërinë shqiptare. Vetingu ishte një proces që s’shkoi deri në fund. Ishte i ndërtuar keq. Duhej bërë ndryshe, a ka ndonjë akuzë mbi këta dhe hetimet. Ç’është ky proces Vetingu që ke 2 apo 3 milionë lekë të pajustifikuara. Inkriminimi është shqetësues, a është rritur jashtëzakonisht. Z.Dumani duhet të jetë i hapur me publikimin e emrave, është prokuror, jo gazetar investigativ. Z. Dumani duhet të ishte më i qartë në deklaratat e tij.– tha Sokol Bregu.

Sakaq gazetari foli edhe mbi konfliktin e bashkëshortit të ministres Ibrahimaj, duke theksuar se konflikti është i zgjeruar, duke i tejkaluar përmasat e një konflikti brenda punës.

“Është fshehje apo ndikim, janë dy gjëra shumë të ndryshme. Mua s’më shqetëson fakti a i ishte apo jo në komunikatën e përditshme, por si u ndoq hetimi. Ka një problem, i godituri a ka bërë kallëzim, apo edhe ai do të tërhiqet. Në dijeninë time është raportuar si e tillë dhe të dyja palët duan të pajtohen. Ka diçka më tepër në atë situatë. I tejkalon përmasat e një konflikti brenda punës. Është një konflikt më i zgjeruar, dhe prandaj edhe i dëmtuari s’ka dashur të jetë vëmendje. Fakti që ka qenë burri i ministres mund të ketë pasur ndonjë mënyrë ndikuese për të mos ta bërë publike. Por çdo gjë lidhet me hetimin, a po bëhet hetim mbi çështjen. Dosja është në prokurori, a po heton Prokurori apo jo, kjo është… A mund ta mbyllë çështjen me një pajtim mes palëve, mund ta mbyllë. Fakti që njëri është larguar jashtë Shqipërisë, edhe ai ka një problematikë në mendjen e tij, se mos kthehet dhe ndalohet” – tha Sokol Bregu.

Continue Reading

Aktualitet

Dërgimi i trupave në Ukrainë/ Shpërthen Macron: Nëse Rusia shkon më larg do detyrohemi…

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e përsëriti të enjten se nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë, duke shtuar se kjo çështje do të bëhej “legjitime”, nëse Rusia depërton përtej vijave ukrainase të frontit dhe nëse Kievi e bën një kërkesë të tillë.

Ai i bëri këto deklarata në një intervistë për Economist, që u publikua më 2 maj.

Ekonomist tha se Macron e dha këtë intervistë, pasi e mbajti një fjalim javën e kaluar, kur deklaroi se Evropa është “e vdekshme” dhe “mund të vdesë”, pjesërisht për shkak të kërcënimit që paraqet agresioni rus, pasi Moska e nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt 2022.

“Nuk e hedh poshtë asnjë mundësi, sepse ne po përballemi me dikë i cili nuk e hedh poshtë asnjë mundësi”, tha Macron kur u pyet nëse ende u qëndron komenteve që i bëri në fillim të këtij viti, kur tha se nuk e përjashton mundësinë që Perëndimi të dërgojë trupa në Ukrainë.

Disa analistë besojnë se Rusia mund të jetë buzë fillimit të një ofensive të re shumë të madhe në Ukrainë.

Macroni tha se “nëse Rusia vendos të shkojë më larg, ne do të detyrohemi, në çdo rast, t’ia bëjmë vetes këtë pyetje” për dërgimin e trupave në Ukrainë. Ai e përshkroi një lëvizje të tillë si “paralajmërim strategjik për homologët e mi”.

Ai e përshkroi Rusinë si një “fuqi e destabilizimit rajonal” dhe si “kërcënim për sigurinë e evropianëve”.

“E kam një synim të qartë strategjik: Rusia nuk mund të fitojë në Ukrainë”, theksoi Macron.

“Nuk do të ketë siguri në Evropë, nëse Rusia fiton në Ukrainë. Kush mund të pretendojë se Rusia do të ndalet aty? Çfarë sigurie do të ketë për vendet e tjera fqinje, Moldavinë, Rumaninë, Poloninë, Lituaninë dhe të tjerët?” pyeti ai./ REL

Continue Reading

Aktualitet

U përplas teksa po kalonte rrugën, 70-vjeçarja shqiptare në Itali ndërron jetë pas dy ditësh në spital

Një 70-vjeçare shqiptare e cila ishte përplasur nga makina para dy ditësh në qendër të Kremones ka ndërruar jetë në spital.

Gjendja e saj, e cila menjëherë pas aksidentit nuk dukej kritike për jetën, u përkeqësua për shkak të një hemorragjie në tru. Ndonëse iu nënshtrua një operacioni, ajo nuk mundi të mbijetonte.

Viktima po kalonte Corso Cavour rreth orës 10 të mëngjesit, kur ajo u godit nga makina. Sipas policisë e moshuara shqiptare u përplas në një vendkalim për këmbësorë.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING