Connect with us

Kosova

Çfarë garancish mund të kërkojë Kosova për Asociacionin/ Flasin Joseph dhe Hartwell

Për njohës të zhvillimeve në Ballkan, garancitë që kërkon presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në këmbim të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, janë të drejta dhe të domosdoshme POR njësoj, sipas tyre, janë edhe kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare që Kosova ta themelojë këtë asociacion.

Osmani, në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës më 10 korrik, kërkoi nga partnerët ndërkombëtarë garanci për sigurinë dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, në këmbim të themelimit të Asociacionit.

Po a do t’i ofronte bashkësia ndërkombëtare garanci Kosovës?

Në Union nuk i përgjigjen kësaj pyetjeje, por thonë se Kosova, prej kohësh, e ka detyrim ligjor te themelojë Asociacionin.

Analisti britanik Leon Hartwell, tha se Osmani është me të drejtë skeptike se themelimi i Asociacionit do të sillte përfitime të prekshme për Kosovën dhe sipas tij, kërkesat duhet parë në kontekstin e përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për të destabilizuar Kosovën.

Po përse janë “të domosdoshme” garancitë për Kosovën?

Për tri arsye, thotë Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA.

“Së pari, kundërpala e Marrëveshjes Bazë, Serbia, nuk është sjellë me mirëbesim, që nga momenti kur dy vendet “kanë rënë dakord” për aneksin e zbatimit. Së dyti, detyrimet e secilës palë “nuk janë paralele”. Është Kosova ajo që i kërkohet të bëjë hapin afirmativ për formimin e Asociacionit… Nuk ka asnjë hap paralel, për shembull, të një asociacioni brenda Serbisë për shqiptarët dhe, arsyeja e tretë përse garancitë janë thelbësore pa faktet tregojne se BE-ja “ka treguar pak vullnet” për t’i pranuar përgjegjësitë e veta sipas Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të zbatimit.

Advertisement