Shkrime
Çfarë ndodh me Berishën tani?
Nga Brixhilda Xhuraj
“Kategorikisht, nuk do të paraqitem kurrë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK)!”Ky është qëndrimi i ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, ndaj të cilit Gjykata ka konfirmuar masën e “detyrimit të paraqitjes” pasi akuzohet për korrupsion pasiv sa i takon çështjes së ngritur për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Berisha u shpreh se, nuk e njeh këtë vendim dhe gjithë çështjen kundër tij e quan anti-kushtetuese dhe jo në përputhje me ligjin. Ama pavarësisht këtyre deklaratave të lëshuara nga Berisha, Gjykata thekson se, “urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00 para oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”. Avokati, Rezart Kthupi, mendon se nga ana formale sot kemi një vendim të Gjykatës, i cili është i detyrueshëm për tu zbatuar. Ai në një prononcim për Albanian Post (AP) sa i takon çështjes shprehet se, konsideratat personale lidhur me kushtetutshmërinë e vendimeve të Gjykatave nuk kanë vlerë juridike.
Por, çfarë ndodh nëse Berisha nuk paraqitet?
Refuzimi i Berishës për tu përballur me drejtësinë nisi që kur oficerët e krimit ekonomik u dërguan në selinë blu për t’i dhënë vendimin e SPAK. Berisha nuk pranoi t’i takonte. Më pas ata u dërguan në shtëpinë e tij, dhe ish-kryeministri refuzoi dy herë të paraqitej në Gjykatë. Por këtë herë nëse ai nuk paraqitet, Kthupi thotë se, duke vlerësuar se masa e kufizimit të dhënë nuk po jep efektin e kërkuar Prokuroria – shkaku për të cilin është dhënë masa ka lidhje me dy elementë: mos pengimin e hetimeve dhe pamundësinë e largimit të shtetasit nga vendi – duhet të kërkojë një masë sigurimi më të rëndë. Eksperti i drejtësisë gjykon se në këtë skenar të mundshëm mund të kërkohet masa e sigurimit: “Arrest në shtëpi”. Por ama, për këtë lloj mase SPAK duhet t’i drejtohet për autorizim Kuvendit. “Kjo pasi jemi në rastin e heqjes se lirisë që mbrohet nga neni 73 i Kushtetutës”, thotë Kthupi. Ky nen ka shërbyer si një “alibi debati” për Berishën, i cili thotë se nuk e shkel Kushtetutën. Për këtë juristi, Kreshnik Spahiu, shpjegoi për AP-në se për Berishën, masa e detyrimit për paraqitje nuk parashikohet nga neni 288 i Kodit Procedurës Penale si masë që duhet kërkuar autorizim. Ama një masë tjetër do të kërkojë miratimin e Kuvendit. Por diçka është e sigurtë, me Berishën ka të papritura – siç është gjyqi “imagjinar” deri më tani kundër Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për ta shpallur non grata.