Kronike
Çfarë po ndodh? Tre persona raportohen të zhdukur, policia ngrihet ‘në këmbë’
Tre persona në juglindje të vendit raportohet se kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre. Sipas policisë të zhdukura janë raportuar 2 gra dhe një 65-vjeçar të cilët nuk kanë asnjë lidhje me njëri tjetrin.
Rasti i parë është shënuar në fshatin Memëlisht, ku bashkëshorti ka kallëzuar në polici largimin nga banesa të gruas së tij 38-vjeçare.
“Më datë 16.11.2023, në Komisariatin e Policisë Pogradec, është paraqitur shtetasi N. H., 43 vjeç, banues në fshatin Memëlisht, Pogradec, i cili ka kallëzuar se është larguar nga banesa bashkëshortja e tij, shtetasja A. H., 38 vjeçe. Po punohet për gjetjen e saj”, njofton policia.
Kallëzimi i dytë është regjistruar në policinë e Korçës, ku një 40-vjeçare, banuese në Skoci, ka denoncuar humbjen e kontakteve me të atin.
“Më datë 16.11.2023, në Komisariatin e Policisë Korçë, është paraqitur shtetasja M. T., 40 vjeçe, rezidente në Skoci, e cila ka kallëzuar se që prej muajit nëntor 2022, ka humbur kontaktet me babanë e saj, shtetasin T. T., 65 vjeç, i cili jetonte i vetëm në banesë. Po punohet për gjetjen e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë që rasti i tretë u shënua në fshatin Vranisht të Devollit, ku një 52-vjeçare denoncoi largimin nga banesa të mamasë së saj 80-vjeçare.
“Më datë 16.11.2023, në Komisariatin e Policisë Devoll, është paraqitur shtetasja H. T., 52 vjeçe, banuese në fshatin Vranisht, Devoll, e cila ka kallëzuar se është larguar nga banesa nëna e saj, shtetasja Z. H., 80 vjeçe, banuese në fshatin Pilur, Devoll. Po punohet për gjetjen e saj”, nënvizon policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.