Shkrime
Çfarë tregon zbulimi i një grupi narkotrafikantësh për zgjedhjet e 11 majit

Nga Andi Bushati
Goditja nga antimafia italiane e atij që u konsiderua si një nga grupet më të rrezikshme të narkortafikut në vend, më shumë sesa një lajm kronike është një tjetër njollë politike në kurmin e përlyer të këtij pushteti. Ky aksion më shumë se për të na faktuar se si vinte kokaina nga Amerika Latine, se si mbërrinte në portin e Durrësit, se si rishpërndahej prej aty në Itali e në mbarë Evropën dhe se si, pastaj, paratë e përfituara përfundonin të pastroheshin në Shqipëri, tregon tjetër gjë. Ajo nuk është thjeshtë një radiografi e organizatës kriminale të Troplinëve, por një dëshmi se si funksionon qeverisja e viteve të fundit dhe se si ia mbërrin ajo të konfirmohet pas çdo sfide elektorale.
Dosja italiane na dëshmon me detaje, video dhe foto se si mbërijnë në Shqipëri, në mënyrë klandestine përmes autobuzësh, paratë e drogës së shitur në Itali. Janë pikërisht këto para – që mbajnë të ulët kursin e euros – që shërbejnë si injeksione për ekonominë dhe që një herë në katër vite përcaktojnë edhe zgjedhjet.
Dhe ky nuk është një rast i izoluar. A nuk përfundoi në pranga deputeti deputeti socialist Jurgis Çyrbja i cili doli nga përgjimet e SKY se ishte njeriu i vendosur në listë nga bandat dhe madje spiuni për llogari të tyre në parlament?
Po kur u bë publike një pjesë e dosjes së grupit të Suel Çelës, në fund të vitit që shkoi, a nuk doli aty emri i një biznesmeni, Marsel Shega që e furnizonte organizatën me paratë e tenderave publikë, që merrte prej pushtetarëve socialistë. A nuk kishin arritur dy vëllezërit e arrestuar të kësaj bande të gradonin motrën e tyre Adelajda Roka drejt e në paradhomën e Edi Ramës, pikërisht si drejtoreshë të Agjensisë së Zhvillimit të Territorit, ku vendoset për lejet e ndërtimit?
Nuk është rastësi që edhe Troplinët edhe Çyrbja edhe banda e Suel Çelës, për të mos përmendur shumë raste të tjera, janë të gjithë të akuzuar nga opozita si manipulatorë të zgjedhjeve. As naiviteti ekstrem i idiotëve të dobishëm, që nuk duan ti shohnin të lidhura këto fakte, nuk mjafton për të mbuluar katërkëndëshin e përbërë nga hajdutë të votës, para të zeza, banda kriminale dhe favoreve me punë publike apo leje ndërtimi që u dhurojnë atyre rilindasit. Kjo është baza reale e pushtetit në Shqipëri.
Të papërfshira me të nuk ka si si të shihen as disa pikpyetje që janë ngritur në orët e fundit: Pse kur gjykata italiane i firmosi arrestimet që në shkurt, ato u ekzekutuan vetëm tani? Mos vallë dhe Troplinët njësoj si Bajrat në zgjedhjet lokale, u lanë të lirë për të mbaruar punë me votën? Po “Visi i Pojës” si arriti të ikë në drejtim të paditur, ndoshta dikush i ktheu nderin e asaj që bëri në fushatë? Po Task forca qesharake e SPAK-ut që prezumohej ti kishte prej muajsh nën vëzhgim, nuk pa asgjë nga ato që po ndodhnin në Durrës, pavarëshit denoncimeve të atyre që bërtisnin: “Po na vjedhin”?
Pas dosjes që lexuam këto pyetje mbeten në ajër, ndonëse gjithmonë do të gjenden nga ata që “në mirëbesim” do të betohen se kjo nuk ka të bëjë me 11 majin.

