Connect with us

Aktualitet

Champions League/ Arsenali pa rivalë, kryeson me pikë të plota! Man. City përmbys Real Madridin dhe ‘shkarkon’ Alonson, tri pikë për Juven! Humbet Napoli, ndalet PSG

Champions League zhvilloi këtë të mërkurë nëntë ndeshjet e mbetura për raundin e gjashtë në fazën e ligës. ‘Finalja’ e parakohshme mes Real Madrid dhe Manchester City foli 1-2 për miqtë, me Guardiolën që rikthehet të marrë tri pikë në ‘Bernabeu’. Tri pikë për Arsenalin që kryeson i vetëm, ndërsa sukses edhe për Juven, Ajax, Copenhagen, dhe Benfican.
Në ‘Bernabeu’, Real Madrid u mposht 1-2 me përmbysje nga Manchester City. Madrilenët kaluan të parët në epërsi me golin e Rodrygos pas 28-të minutave lojë, por ‘Qytetarët’ e Guardiolës përmbysën gjithçka brenda pjesës së parë me O’Reilly dhe Erlind Haaland (11 m). Kjo është humbja e dytë në pak ditë për Real Madrid, me klimën në klubin mbretëror që nuk është e qetë, aq sa pas kësaj disfate trajneri Xabi Alonso rrezikon shkarkimin, pasi sipas medieve iberike nuk e ka me vete dhomën e zhveshjes.
Në Belgjikë, vendasit e Club Brugge nuk i bënë ballë furisë së Arsenalit. ‘Topçinjtë’ fituan 0-3 me dopietën e Madueke dhe golin e Martinellit. Me 18 pikë të plota pas gjashtë ndeshjeve, Arsenal kryeson i vetëm renditjen e Champions.

Në Torino, Juventusi siguroi fitoren e dytë radhazi duke mposhtur 2-0 Pafos. Edon Zhegrova luajti titullar, por Spalletti e zëvendësoi pas 45 minutave të para. McKennie në minutën e 67-të dhe David në të 73 minutë ishin autorët e golave.

Befasi në Lisbonë. Benfica e Jose Mourinhos fitoi 2-0 kundër Napolit. Për ‘Shqiponjat’ goli i parë u shënua nga Rios, teksa po i njëjti asistoi për golin e dytë të shënuar nga Barreiro, duke u shpallur ‘Njeriu i Ndeshjes’.

Arsenali kryeson me 18 pikë, ndjekur nga Bayern Munich, PSG, Man. City, Atalanta, Inter, Real dhe Atletico Madrid. Champions kthehet me dy raundet e fundit mesjavën e 20 dhe 21 janarit si edhe më 27 dhe 28 janar 2026.

Advertisement