Sport
Champions League/ ‘Aspirina’, i shkakton humbjen e parë Interit, Liverpool me hap lideri, Bayern me pesë yje
Champions League zhvilloi mbrëmjen e së martës nëntë ndeshjet e para të fazës së ligës për raundin e gjashtë. Nuk munguan surprizat dhe spektakli, me Liverpool që vijon të kryesojë duke u shkëputur në krye. Humbja e parë për Interin nga Leverkusen, ndërsa në Itali u shënuan pesë gola.
Në Bergamo vendasit e Atalantës u mposhtën 2-3 nga Real Madridi. Ndeshja spektakolare në fushë, teksa nga minuta e parë luajti Berat Gjimshiti. Kylian Mbappe kaloi në epërsi madrilenët pas dhjetë minutave lojë, para se De Ketelaere të vendoste ekuilibrat në pjesën e parë me penallti. Real shënoi dy gola në pjesën e dytë me Vinicius dhe Bellingham, teksa Lookman shkurtoi për 2-3 në minutën e 65-të, por paçka spektaklit ndeshja foli në fund për miqtë e Carlo Ancelottit.
Në Gjermani ishte Bayer Leverkusen që mposhti 1-0 Interin, duke i shkaktuar disfatën e parë këtë sezon në Champions italianëve. Mukiele në minutën e 90-të vendosi ndeshjen. 24 minuta luajti edhe Asllani, ndërsa Xhaka te vendasit titullar fiks për Alonson.
Në Katalonjë, Girona e pësoi 0-1 nga Liverpool me golin e Salah në minutën e 63 nga penalltia. Anglezët prijnë kryesimin.
Në Gelsenkirchen, Shakhtar Donetsk nuk i bëri ballë Bayern Munich paçka se kaloi i pari në avantazh me Kevin pas pesë minutash. 1-5 fitoi Bayern që përmbysi me Laimer, Muller, Olise (2x) dhe Musiala.
Pas nëntë ndeshjeve të para është Liverpool që kryeson me 18 pikë, pesë më shumë se Leverkusen, Aston Villa, Inter dhe ‘’Hirushja’’ Brest që fitoi 1-0 ndaj PSV. Të mërkurën zhvillohen nëntë ndeshjet e mbetura, ku spikat Juventus – Manchester City.