Connect with us

Kosova

CIA: De facto dhe Asociacioni, s’i zgjidhin problemet mes Kosovës dhe Serbisë

Sipas David Kanin, profesor për Studime Evropiane në Universitetin ‘Johns Hopkins’ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare që Kosova të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia ta njoh ‘de facto’ Kosovën, nuk do t’i zgjidhte problemet mes dy vendeve.

“Unë mendoj se nuk i zgjidh problemet. Para së gjithash, nuk është njohje de facto. Ka njohje ose nuk ka njohje. Ajo që vërtet i kërkohet Serbisë, është të mos e pengojë Kosovën nga anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare. Ajo, po ashtu, mund të tërhiqet nga përpjekjet për t’i bindur vendet që e kanë njohur Kosovën, ta çnjohin atë. Kjo nuk është njohje” – ka thënë Kanin në një intervistë.

Ish-analisti i lartë i Agjencisë Amerikane të Inteligjencës (CIA), ka theksuar se është e nevojshme që të kujtohet fakti se Tajvani, për 30 vjet, ka pasur ulëse të përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ashtu sikurse Kina.

“Kur gjeopolitika ka ndryshuar, ajo ulëse nuk e ka ndihmuar Tajvanit fare. Serbia e di dhe Kosova e di që kjo marrëveshje është shumë e keqe për Kosovën” – shtoi Kanin.

E ashtuquajtura njohje de facto, në vlerësimin e profesorit amerikan, “nuk është njohje”. “Do të ishte një fitore modeste për Kosovën në aspektin diplomatik, pa pasur nevojë që Serbia të bëjë vërtet ndonjë gjë” – pohoi profesori amerikan, duke shtuar se – “Serbia do ta ruante mbështetjen e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe do të mund të bllokonte çdo rezolutë. Pra, kjo është marrëveshje e njëanshme. Albin Kurti e di këtë dhe ka të drejtë”.

Për të pasur një zgjidhje të qëndrueshme në raportet në mes të dy vendeve, sipas tij, ajo duhet të vijë nga vetë protagonistët e jo të imponohet prej jashtë.

“Një të tillë e kemi pasur në vitin 2018, me planin e shkëmbimit të territoreve. Askujt nuk i ka pëlqyer, të gjithë kanë nxjerrë në dukje problemet dhe ato kanë qenë reale. Por, fakti që ka ardhur nga të dyja palët, që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë qenë të gatshëm për të bashkëpunuar, është dashur të ishte pika më e rëndësishme” – mendon Kanin teksa dhe ka theksuar se “Në rast të formimit të Asociacionit, serbët në Kosovë do të kishin një organizatë që do të njihej botërisht, “ndërkohë që vetë Kosova nuk njihet”.

Advertisement