Politike
Cilin politikan besojnë shqiptarët më shumë? Sondazhi i Institutit Republikan Amerikan: Ja me sa kryeson Rama
Një sondazh i publikuar nga Qendra e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) tregon se cilin nga politikanët mbështesin më shumë shqiptarët.
Në sondazh spikatin diferecat e ndjeshme midis kryeministrit socialist Edi Rama (35%), përballë kryetarit të PD-së Sali Berisha (14 për qind).
Nga ana tjetër në sondazh cilësohet se mbi 60 për qind e të anketuarve besojnë dhe shpresojnë se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë, ndërsa pjesa tjetër (afro 40%) nuk kanë shumë shpresë për një të ardhme më të mirë, por pohojnë madje se kanë frikë, shqetësim e pasiguri për të ardhmen dhe nuk besojnë tek ndonjë përmirësim për këtë.
Më shumë se gjysma e të anketuarve nga IRI (52%) pohuan se vendi po shkon në drejtimin e duhur, një shifër kjo me 6 pikë në rënie krahasuar me një vit më parë (58%). Megjithatë qeveria Rama gëzon një aprovim të përgjithshëm nga më shumë se gjysma e të anketuarve (58%), edhe për sa i takon efektshmërisë (55%).
Shumica dërrmuese e qytetarëve (74%) pohuan se janë të informuar mjaftueshëm mbi zgjedhjet e ardhshme, por duan më shumë informacion mbi programet partiake dhe kandidatët e tyre.
Nga ana tjetër, pjesa dërrmuese (88%) e të anketuarve thanë se nuk kanë parë gjatë 12 muajve të fundit ndonjë aktivist partiak në zonën e tyre.
Sondazhi u krye nga IDRA Research & Consulting në emër të Qendrës për Vështrime në Kërkimet e Anketave të Institutit Republikan Ndërkombëtar në të gjithë Shqipërinë.
Puna në terren u krye midis 3 tetorit dhe 2 nëntorit 2024, përmes teknikës së Intervistimit Personal të Asistuar me Kompjuter (CAPI), e administruar përmes intervistave ballë për ballë në shtëpitë e të anketuarve.
Kampioni prej 1200 shqiptarësh u përzgjodh nëpërmjet një përzgjedhjeje të grupimeve të shtresuara dhe kampioni i arritur u mor i balancuar për grupmoshat, rajonin, gjininë dhe arsimin sipas parametrave të Censusit 2023. Marzhi i gabimit për intervalin e mesëm të kampionit të plotë nuk i kalon ±2,8 pikë në nivelin 95% të besimit. Shkalla e përgjigjeve ishte 51%.