Connect with us

Lifestyle

Çipa dhe kamera më cilësore, ja kur del në shitje iPhone 15

Apple zbuloi gjeneratën e ardhshme të iPhone, një linjë që karakterizohet nga kamera më të mira, procesorë më të shpejtë, një sistem të ri karikimi dhe rritje të çmimit për modelin më fantastik. Risia në selinë e Apple në Cupertino, Kaliforni, në SHBA vjen ndërsa kompania përpiqet të ndryshojë një rënie të lehtë që nga viti i kaluar në tre tremujorë radhazi.

Situata jo e mirë është një arsye kryesore pse çmimi i aksioneve të Apple është ulur me rreth 10 % që nga mesi i korrikut, duke ulur vlerën e tregut të kompanisë nën pragun e 3 trilionë dollarëve, një nivel i regjistruar për herë të parë në fillim të kësaj vere.

Siç ka ndodhur me Apple dhe prodhuesit e tjerë të smartfonëve, katër llojet e modeleve të iPhone 15 nuk po bëjnë ndonjë hap të madh në teknologji. Por Apple investoi mjaftueshëm në modelin më të fundit iPhone 15 Pro Max për të rritur çmimin me 100 dollarë, ose 9 %, nga versioni i vitit të kaluar në 1.200 dollarë.

Apple mban të pandryshuar çmimet për pjesën tjetër të linjës, me iPhone 15 bazë që shitet për 800 dollarë, iPhone 15 Plus për 900 dollarë dhe iPhone 15 Pro për 1 mijë. Rritja e çmimit për iPhone 15 Pro Max mund të ndihmojë Apple të rrisë shitjet nëse konsumatorët vazhdojnë të tërhiqen nga modelet premium të kompanisë. Të gjitha modelet e reja do të jenë të disponueshme në dyqane më 22 shtator, ndërsa porositë paraprake do të fillojnë këtë të premte.

Një nga ndryshimet më të mëdha që Apple njoftoi është një mënyrë e re për të karikuar modelet e iPhone 15 dhe gjeneratat e ardhshme. Kompania po kalon në standardin USB-C që tashmë përdoret gjerësisht në shumë pajisje, duke përfshirë kompjuterët e saj Mac dhe shumë nga iPad-ët e saj. Apple po detyrohet të heqë gradualisht kabllot e portit ‘Lightning’ që lëshoi ​​në 2012 për shkak të një mandati që rregullatorët europianë planifikojnë të vendosin në vitin 2024.

Megjithëse konsumatorët shpesh nuk e pëlqejnë ndryshimin, kalimi në portet USB-C mund të mos jetë aq i papërshtatshëm. Kjo për shkak se standardi tashmë përdoret gjerësisht në një sërë kompjuterësh, smartfonë dhe pajisje të tjera që njerëzit tashmë i kanë në përdorim.

Dorina Kurtaj /SCAN

Advertisement