Kosova
Çitaku e quan “apokaliptik” paralajmërimin e Kurtit për “sulme të reja” në veri të Kosovës
Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit kosovar, Albin Kurti, i cili, në një konferencë për shtyp të martën rreth situatës në veriun e trazuar të vendit, të banuar me shumicë serbe, ka paralajmëruar se para dhe pas Vitit të Ri atje mund të ketë “sulme të reja” nga Serbia.
Tek e ka cilësuar “apokaliptik” paralajmërimin e Kurtit për “sulme të reja” në veri të territorit, ajo ka shtuar se është e papranueshme që kreu i ekzekutivit, në vend që të ofrojë masa konkrete për sigurinë e qytetarëve, të nxisë frikë dhe pasiguri në Kosovë.
“Pra, mantra e vetme operuese e kësaj kaste udhëheqësish është mbjellja e pasigurisë, paparashikueshmërisë, dhe frikës. Turp kryeministër. Keni ardhë në detyrë me mandat të fuqishëm për të zgjidhur probleme, jo për t’u bërë falltor”, ka shkruar Çitaku në “Facebook” të mërkurën, duke përmendur edhe ndërprerjen e energjisë elektrike.
Ndryshe, autoritetet kosovare kanë paralajmëruar prej kohësh se Serbia mund të kryejë sulme të reja në veri të Kosovës, pavarësisht prezencës së NATO-s, duke e ndërtuar argumentin në bazë të faktit se përgjegjësi për sulmin terrorist të shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, Millan Radoiçiç, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.