Connect with us

Shkrime

Ç’kërkonte Glover tek Berisha?

Nga Andi Bushati

Vëmendjen e mediave në këtë ditë gjysëm pushimi e mori thyerja e embargos ndërkombëtare ndaj Berishës prej shefes së misionit të vëzhguesve të ODIHR, Audrey Glover. Dikush i kujtoi mbikqyrëses së garës elektorale se ajo po shkelte pragun e zyrës së një “non grat-e”, ndërsa dikush tjetër se ajo për dëgjonte me durim një recidivist (ashtu sikurse e ka pohuar edhe vetë dikur) të shkatërrrimit të zgjedhjeve në këtë vend.

Por, përtej këtyre polemikave, që mund të nxisin kërshërinë e lexuesve në kërkim të sencacioneve, prezenca e Glover në selinë e opozitës reale, ka shumë më tepër rëndësi sesa marëdhënia e saj e ndërlikuar me ish presidentin e vitit ‘96, apo deklarata se ajo priste me kënaqësi ta riakonte sot.

Vizita e saj në ish godinën e SHQUP dëshmon për kotësinë e misionit që ka marrë përsipër. Ndonëse as Berisha, as Meta nuk duan ta pranojnë -sepse ata kanë përveshur mëngët në një betejë ku po reken të korrin një humbje sa më të vogël-, zj. Glover, është vëzhguesja qesharake e një farse me rezultat të përcaktuar. Partisë që ajo ka vizituar sot, megjithëse njihet botërisht si opozita reale, i është hequr kjo e drejtë nga gjykatat dhe nga KQZ-ja. Ajo është zhveshur nga mundësia për të konkuruar me flamurin dhe siglën e saj (të marra nga disa karragjozë që nuk dolën dot me kandidatë as në ⅓ e bashkive). Ajo është privuar për të pasur komisionerë, kohë televizive dhe finacimin që ligji shqiptar i jep forcës që ngërthen alternativën e vërtetë ndaj pushtetit.

Pra që këtu, në një mjedis ku, faktorët e tjerë: arbitrat e zgjedhjeve, taksat e publikut për partitë dhe media po përdoren kundër opozitës, mund të flasësh vetëm për votime dhe jo për zgjedhje. Në këtë kuptim, ç’do përpjekje për të parë se mos qeveria po shkel reguallat e garës, mos ajo po kërcënon administratën apo po përdor fondet shtetërore për fushatë janë gjëpura prej idiotësh të dobishëm, që harrojnë ujkun dhe kërkojnë gjurmët. Këtë rol po bën edhe Audrey Glover duke e kuptuar më mirë se cilido, që gara e 14 majit nuk mund të jetë as e ndershme as e drejtë. Në një konkurim ku opozita reale privohet nga të drejtat bazike, të bësh vëzhguesin e ODHIR-it është absurde.

Çfarë rëndësie ka të monitorosh sjelljen e televizioneve, kur AMA është e detyruar të gjobisë ato ekrane që do pasqyrojnë betejën e vërtetë (Psh, në Tiranë, atë mes Veliajt dhe Këlliçit dhe jo Bejkos)? Çfarë interesi ka të vëzhgosh rolin e komisionerëve, kur ata janë 6 me 1 në favor të Ramës? Çfarë shprese mund të kesh tek Kolegji Zgjedhor kur ai vendosi se opozita e vërtetë është ajo që ka kryetar Lulzim Bashën?

Në këto kushte nuk i’a vlen, as të mbash shënime për shkeljet, as të hartosh rekomandime për të ardhmen. Ata që vranë zgjedhjet pa filluar ende gara e kanë bërë absurd edhe rolin e Audrey Glover. Prandaj pyetja se ç’kërkonte ajo te Berisha, nuk ka lidhje as me qënien e tij non grata, as me raportin e tyre në të shkuarën. Ajo mbi të gjitha ngre problemin e kotësisë së vëzhguesve për këto votime.

Advertisement