Connect with us

Ekonomi

“Çmim nuk ka”/ Misri i Maliqit mbetet stok

Një ndër kulturat e mbjella në fushën e Maliqit është misri. Në këtë periudhë të vitit, pasi është tharë, nis shitja e tij. Por fermerët e kësaj zone nuk kanë treg për ta shitur, pasi importi nga vendet e tjera ka penalizuar shitjen e prodhimit të tyre.

Ata tregojnë se çmimi është shumë i ulët dhe nuk justifikon as mundin dhe as paratë e shpenzuara.

“Rreth 170-200 kuintal kam misër. Nuk ka çmim e nuk vjen njeri të interesohet. Për momentin thonë me 350, por nuk e dimë. Nuk ja vlen, ka shumë shpenzime dhe s’ia del. Po ngeli kështu sivjet nuk mbjellim fare”, thotë një fermer.

“Tani ka shkuar me 3 e gjysmë dhe nuk ka klientë, se ku është pengesa; ka futur gjetkë a nuk e di. Kemi dëgjuar që marrin nga serbi me çmim më të lirë. Nuk ka interes se punimet janë të shtrenjta, 15 plugimi, 15 freza, 6 e mbjell, ilaçet, po të llogaritësh koston e prodhimit në çmimin për kile shkon aty-aty”, shprehet një tjetër.

Njëri prej fermerëve të kësaj zone kërkon që autoritetet të bëjnë një bilanc përpara se të importojnë nga jashtë.

“Çmim nuk ka, vjet vinin makinat, na përballonin, na i shiten, sivjet nuk ka. Futin nga jashtë me çmim më të ulët dhe mbetet halli tonë. Plugimet i bëjmë me çmim të lartë se nafta u rrit, plehrat u rritën, farat u rritën 8 mijë kilja e misrit, e kur bie momenti për ta shitur na mbetet misri këtu. Duhet të ndërhyjë qeveria, mos sjellë nga jashtë, të bëjë bilanc, sa prodhohet, sa shitet, sa nevojë ka vendi pastaj të sjellin nga jashtë. Tregtarët e sjellin për interesin e tyre, por malli ynë ngelet stok”, thotë Bajram Kaja, fermer.

Vetëm në fushën e Maliqit prodhohet mbi 16.000 ton misër, ku ende mbi 35% e këtij prodhimi është i pashitur

Advertisement