Kronike
Çmimet e apartamenteve u rritën me 3 herë më shumë se mesatarja

Viti I kaluar solli nje rritje të lartë të cmimit të banesave me tre herë më shumë se mesatarja historike Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, indeksi i çmimeve të banesave në tremujorin e tretë 2022 rezulton me një rritje vjetore 17.6%, ndërkohë që rritja mesatare e historike e këtij tregues rezulton në nivelin 5.7%.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë së për muajin nëntor të vitit 2022 kredia e re për blerjen e pasurive të paluajtshme pësoi një rënie me 12.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shkalla e rënies u thellua më tej nga niveli 8.6% i muajit tetor. Këto të dhëna tregojnë se veçanërisht rritja e normave të interesit po reflektohet në një frenim të huasë për blerje të pasurive të paluajtshme nga familjet shqiptare. Normat e rritura të interesit e bëjnë më pak të përballueshme dhe tërheqëse kredinë, duke ndikuar negativisht kërkesën.
Por, nga ana tjetër, rritja e normave të interesit rrit edhe pragun e nevojshëm të të ardhurave për t’u kualifikuar si huamarrës nga banka, duke ndikuar edhe në rënien e ofertës. Por, vrojtimi i fundit i Bankës së Shqipërisë për treguesit e ndjesisë ekonomike tregoi se bizneset e sektorit të ndërtimit vazhdojnë të shfaqin pritshmëri për rritje të çmimeve. Balanca e lidhur me pritjet e çmimeve ishte pozitive me 32.3 pikë përqindje për muajin dhjetor 2022. Megjithatë, ky nivel ishte më i ulëti që prej muajit maj 2022, duke treguar se pritshmëritë për rritje të çmimeve po ulen disi edhe mes bizneseve të sektorit të ndërtimit.

