Politike
Çmimi i ri i energjisë elektrike, Balluku: Procedura transparente, matja do të bëhet brenda 30 ditëve

Muaji shkurt shënoi fillimin e aplikimit të çmimit të ri të energjisë elektrike për abonentët familjarë, i ndarë në dy kategori, 8.5 lekë për kilovat për abonentët që konsumojnë deri në 700 kilovatorë dhe 9.5 lekë për të gjithë ata që e kalojnë këtë shifër.
Për të inspektuar lexuesit e matësit të energjisë elektrike, Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka ndjekur ecurinë në terren.
“Ky është muaji i parë që ne do të aplikojmë çmimin, por nga ana tjetër e gjithë procedura është e dizajnuar nga fillimi deri në fund që të jetë transparente. Bazuar në një urdhër të administratorit të përgjithshëm të kompanisë, të OSHEE-së, matja duhet bërë brenda 8 ditëve dhe matja është nga 30 ditë në 30 ditë. Pra nuk do të kalojnë 30-ditëshi, duke e bërë kështu të pakontestueshme mënyrën e matjes dhe saktësinë e saj”, tha zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku.
Nga ulja e çmimit të energjisë me gati 10.5% përfitojnë afro 1 milion abonentë familjarë në të gjithë vendin.
“Arsyeja pse ne vendosëm që të aplikonim një çmim më të ulët sipas kategorive të konsumit, 8.5 lekë për konsumin nga 0 deri në 700 kilovat/orë është sepse kërkojmë që të sensibilizojmë të gjithë popullatën, të gjithë familjarët të cilët përfitojnë nga kjo paketë mbi 1 milionë abonentë, që energjia është një mall shumë i rëndësishëm, i cili edhe duhet kursyer. Patjetër përdorimi i tij është i domosdoshëm në jetën e përditshme, por kursimi është akoma më i rëndësishëm për shkak edhe të të gjitha kushteve që ne kemi, hidrocentraleve, varësisë nga moti”, nënvizoi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në të gjithë vendin OSSH numëron 870 punonjës me detyrën e lexuesit të matësit të energjisë. Në janar të këtij viti OSHEE shpalli 120 vende vakante në këtë pozicion, ku afati i aplikimit ishte data 5 shkurt, thirrjes të së cilës iu përgjigjen 532 aplikime.

