Shkrime
Çuditë nuk zgjasin shumë në Tiranë/ Nga hap kutitë ose ik, tek kutitë që do hapin probleme

Nga Lorenc Vangjeli
Çfarë ishte vetëm projeksion logjik, u verifikua në terrenin zgjedhor dhe çfarë është frikë se politika në Shqipëri është hipokrite, mund të vërtetohet në harkun e tre javëve. Vendimet KQZ-së për të hapur kutitë në Tiranë dhe Fier, një ushtrim gjigant rikontrolli që përfshin më shumë se gjysmë milioni vota të mbyllura në kuti, rrezikon të japë një provë më shumë për skeptikët që e shohin politikën si problem për t’u zgjidhur dhe jo si mjet për të zgjidhur problemet.
Ndërsa të gjitha gjasat janë që votat e partive politike të mbeten të pandryshueshme, me përjashtime të ardhura nga gabime njerëzore, votat preferenciale për kandidatët e listave të hapura premtojnë supriza të mëdha duke i dhënë jetë aksiomës së vjetër se lufta brenda llojit është lufta më e egër. Në një vend ku të gjithë akuzojnë tjetrin si hajdut, verifikimi në praktikë i deformimit të renditjes së kandidatëve, kryesisht në dy partitë e mëdha, PS e PD, mund të hedhë shumë bojë në një tablo gjithëherët të zymtë të proceseve elektorale në Shqipëri. Për paradoks, zgjedhjet me enigmë të 2009-ës të cilat socialistët i kontestuan fort dhe i kundërshtuan edhe me uri: Hap kutitë ose largohu, një dekadë e gjysmë më pas mund të shndërrohen në zgjedhjet që verifikuan probleme sepse kutitë nuk të mbaheshin dot mbyllur.
PS e PD patën një qasje të ndryshme në rrugën e tyre drejt kutive. Rama kishte synim të qartë që në harkun e 12 vjetëve të kalonte nga rilindja e premtuar e partisë së tij në 2013-ën, në rishpikjen e një partie të re në 2025-ën. Për këtë synim ai fillimisht afroi njerëzit që donte në listat e tij dhe pjesën e mbetur të veteranëve, e hodhi në listat e hapura. Me disa përjashtime të rralla, çfarë trashëgohet ende nga partia tradicionale, do të ndjekë në televizor Parlamentin e ardhshëm.
Vendin e tyre do ta zenë të reja e të rinj ambiciozë, shpesh si rregull pa asnjë profil të qartë publik, por që nuk mbartnin asnjë nga mëkatet e vjetra dhe të reja të qeverisjes socialiste. Për më shumë, Rama mbajti nën kontroll të hekurt të gjitha preferencat lokale mes kandidatëve. Kur nisi procesi i numërimit të votave, një mesazh personal në audio i tij, i është përcjellë ushtrisë së numëruesve. E megjithatë, rinumërimi i votave në Tiranë dhe në Fier, me gjasë edhe në Durrës më pas, mund të jetë problematik për disa personazhe, por në shportën e madhe, kjo firo nuk do të përbëjë problem për Ramën. Ndokush, personazh i njohur, mund të shohë t’i erret triumfi e diku gjetkë, Zeqineja mund të zëvendësojë Zeqinenë. Dhe këtu mbyllet dëmi me vetëm disa martirë që do të provojnë dhe njëherë se urinë e babëzisë, nuk mund ta nginjë kurrë arsyeja.
I bindur se çfarë kishte për të zgjedhur, e kishte zgjedhur duke e strehuar në listat e sigurta, Berisha kishte pak hapësirë për të vepruar. Ai ndoshta as nuk nxiti, por as nuk kundërshtoi mundësinë që numëruesit e tij të kishin dorë në përkëmbimet e votave brenda për brenda listës së partisë së tij. Në fund të fundit, bëhej fjalë për vetëm një gjysmë dyzine kandidatësh që do të hynin në Kuvend nga lista e hapur. Për më shumë, në momentin kur ishte bërë e qartë se humbja ishte e thellë, demoralizimi i numëruesve, i verifikuar cep më cep të Shqipërisë, i kishte të gjitha gjasat që tek trafiku i votave brenda listës së PD-së, të merrte një ngushëllim të përciptë. Në Tiranë e Durrës sidomos, kjo betejë është goxha e madhe dhe mëria brenda llojit, edhe më e madhe se vetë zhgënjimi për rezultatin. Gjasat për ndryshim renditjeje janë minimaliste, por ato mjaftojnë që ato t’i japin ushqim urisë së Ramës për të sulmuar kundërshtarin: “Na akuzojnë ne për vjedhje, por ata kanë vjedhur njëri-tjetrin!”, ekzaktësisht këto fjalë do të thotë ai mbas rreth tre javësh kur të mbarojë procesi i rinumërimit. Duke ndërtuar kështu themelet e një narative të re që do të sulmojë kodin zgjedhor, që do të shndërrohet në ftesë për të ribërë sërish kodin në mënyrë tjetër, për të ndryshuar edhe sistemin zgjedhor dhe duke futur në konservim, debatin e madh nëse zgjedhjet ishin të lira e të ndershme.
Pastaj kismet! Çuditë në Tiranë nuk zgjasin shumë dhe kush ka mbetur i humbur nga lista do të presë të verifikohen shpresat që SPAK do të nisë të godasë më në fund krimin zgjedhor. Jo jo numërues si viktima, por të tjerë që i përdorën si viktima numëruesit. Logjika se në Tiranë, Fier apo Durrës e Shkodër, SPAK ka regjistruar kilometra me biseda për fushatën, nëse është e vërtetë, mund të afrojë çudinë e rradhës. Ajo i ka të gjitha gjasat të shndërrohet në një nga hallkat e pandërprera të krizës ciklike të gjithë shoqërisë shqiptare që gjithmonë e më shumë, e gjen veten të papërfaqësuar nga klasa e saj politike. Edhe pse politika betohet për kokën e shoqërisë njëherë në katër vjet!

