Connect with us

Kosova

Daçiç, një rrugaç që më drejtohej me fjalë të pista/ Gërvalla akuzon

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka folur për prapaskenat e seancës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ku në prill të këtij viti ishte diskutuar për raportin gjashtëmujor për Kosovën.

Duke shpjeguar situatën në atë seancë, Gërvalla e ka quajtur ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Iviça Daçiç-in, rrugaç, meqë ky i fundit, sipas Gërvallës, ka bërtitur e lëshuar fjalë të pista, ndërkohë që kryediplomatja kosovare mbante fjalimin e saj para ambasadorëve.

“Nuk linin gjë pa na thënë, Daçiç-i gjithë kohën bërtiste serbisht, thoshte ‘sa keq sa keq që nuk jemi në Serbi” – ka pohuar kryediplomatja në një intervistë.

Sipas Gërvallës, pas mbarimit të seancës, Daçiç së bashku me ekipin e tij ka dashur edhe të konfrontohet fizikisht me delegacionin nga Kosova.

“Ne pasi e kryem pjesën zyrtare, unë me qëllim qëndrova pak më gjatë sepse nuk doja të ballafaqohesha me Daçiç-in në korridor, mirëpo ata erdhën… ishte ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriç, na u afruan dhe donin të konfrontoheshin fizikisht me ekipin, si të ishin rrugaçë”, ka treguar Gervalla, duke deklaruar se rasti ishte regjistruar zyrtarisht edhe në Këshillin e Sigurimit.

“Janë parë me kujdes të gjitha videot dhe është bërë protokollimi i asaj situate” – tha kryediplomatja e Kosoves.

Pas shpjegimit të situates jo të lakmueshme, Gërvalla ka potencuar se Qeveria e Kosovës, aktualisht, po përballet me një strukturë jo politike në Serbi.

“Prandaj është kaq i vështirë ky proces sepse kemi të bëjmë pjesërisht me rrugaçë dhe kemi të bëjmë me kriminelë nga e kaluara. Do të mbetet sfiduese dhe e vështirë gjetja e një zgjidhje me Serbinë, por ne nuk kemi tjetër alternativë përveçse të vazhdojmë përpjekjet tona pa bërë kompromise të dëmshme aty ku nuk duhet të bëjmë” – potencoi Ministrja e Puneve te Jashtme.

Advertisement