Kosova
Daniel Serwer: Kujdes nga taktika mashtruese, Trump ka ndër mend që ta ndajë Kosovën

Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara tha se presidenti amerikan, Donald Trump nuk e ndali shpërthimin e luftës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç shkroi të dielën dhe sipas tij, “çdo përpjekje që ai bën tani mund të shkaktojë edhe më shumë dëme”, për shkak të prirjes së tij për ndarjen e Kosovës”.
Ai u shpreh gjithashtu se “Ballkani është trazuar sepse Presidenti Trump do ta ofrojë ndarjen e Kosovës “si shkëmbim territori”.
“Pëshpëritësi i tij për Ballkanin, Ric Grenell, mendon se kjo është një ide e shkëlqyer. Kjo tingëllon bukur, sidomos nëse je një nacionalist etnik. Trump dhe Grenell janë nacionalistë etnikë të përkushtuar të llojit supremacist të bardhë”-ka deklaruar Serwer duke shtuar se gjithsesi, “Serbia nuk do pranojë ndarjen e veriut”.
“Ajo preferon ta mbajë të gjithë jugun e Serbisë, ku kalon një rrugë kryesore për në Selanik dhe Mesdhe. Prandaj Beogradi po bën çmos për t’i larguar shqiptarët prej andej. Kjo është një taktikë klasike mashtruese: ofrohet shkëmbim, merret ndarje. Kryeministri Kurti, apo pasardhësi i tij, do të bënte mirë të mos lejonte ndonjë diskutim për shkëmbim në agjendë”, theksoi Serwer.
“Një president i çoroditur si Trump nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të marrë merita për gjëra që s’i ka bërë dhe të premtojë më shumë. Por ai po dështon kudo: Gaza, Irani, Ukraina dhe tregtia janë të gjitha në kaos. Mungesa e koherencës së tij nuk është e shëndetshme. Këshilla ime për ata që mendojnë se u duhet ndihma amerikane është kjo: mos kërkoni. Merruni vetë me të” – ka shkruar profesori amerikan

