Connect with us

LAJMI I FUNDIT

Danilo është i pastër/ Vuçiç: Djali im s’ka lidhje me sulmin terrorist në Banjskë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Instagram”, ka mohuar se djali i tij, Danilo Vuçiç, mund të jetë përfshirë në sulmin terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur sulmi terrorist, njësitet policore kanë gjetur dokumentin personal dhe makinen e Milorad Jevtiç, i cili, sipas autoriteteve kosovare, është bashkëpunëtor i afërt i Danilos, djalit të presidentit serb. Vuçiçi ka pretenduar se djali i tij “nuk ka lidhje” me sulmin në Banjskë dhe ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar “frikacak” dhe se gjoja po “shënjestëron familjen e tij”. “Karakteristika e parë e një frikacaku është kur dikush sulmon familjen e tjetrit, fëmijët e tij, sepse ata gjithmonë janë shënjestra më të lehta” – ka shkruar Vuçiç pas njoftimit të Sveçlës, i cili,  nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se nga pesë vizitat e fundit të djalit të Vuciçit në Kosovë, ai katër herë ka qenë bashkë me Jevtiç në të njejtën makinë. Qeveria e Kosovës ka prezantuar materiale që implikojnë shtetin serb në sulmin e armatosur, ku përveç dëshmive që grupi terrorist në krye me gangsterin e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Millan Radoiçiç, ka kryer stërvitje në Serbi, në mesin e provave janë edhe formularë të lëshuar nga ushtria serbe për armët që i janë dhënë në shfrytëzim kësaj bande kriminale për sulmin e organizuar ndaj Kosovës. Vlen të theksohet se “Vuçiç Junior” është personazh shumë i përfolur në Serbi. Mediat atje kanë raportuar për përfshirjen e tij në disa aktivitete kriminale dhe pjesëmarrjen e tij në grupe mafioze në Beograd, kryesisht ato të ultra-tifozerive të klubeve të futbollit. Ai shpesh merr pjesë në ngjarje nacionaliste të organizuara nga serbët në rajon. Kujtojmë se më 24 shtator, një grup i armatosur terrorist sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.  Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, u arrestua dhe u la i lire 24 ore me pas. Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Advertisement