Kosova
DARKA E FUNDIT ME TRUMP/ Kurti në intervistë për gazetën spanjolle: Tani është koha për…
“Kryeministri i territorit ballkanik i jep intervistë EL MUNDO-s në një nga momentet më kritike të mandatit të tij, me zgjedhjet legjislative përpara dhe tensionet e rritura rajonale, të përkeqësuara nga Vladimir Putini, si sfond” – Kështu e nis intervistën me kryeministrin Albin Kurti gazeta spanjolle EL MUNDO për të vazhduar, duke thënë se Albin Kurti ka arritur të bëhet një figurë kyçe në politikën e trazuar të Ballkanit.
Në një kontekst të shënuar nga ndikimi i Rusisë në rajon, që kërcënon të destabilizojë stabilitetin e brishtë të arritur pas dekadash konflikti, Kurti synon të forcojë pozitat e Kosovës përballë sfidave të brendshme dhe të jashtme.
Kurti ka folur për shumë çështje që lidhen me aktualitetin politik në Kosovë, si dhe raportet me Serbinë dhe ndërkombëtarët.
Kur është pyetur edhe për atë se si e percepton Kosova presidencën e Donald Trump, ai tha se “Kosova ka një marrëdhënie të fortë bilaterale me Shtetet e Bashkuara, të bazuar në angazhimin e vazhdueshëm për sovranitetin dhe integrimin tonë në BE dhe NATO. Gjatë mandatit të Trump, iu dha përparësi marrëveshjeve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë për të promovuar stabilitetin, ndërkohë që administrata Biden forcoi institucionet demokratike në Ballkan. Edhe pse këto ndryshime pasqyrojnë ndryshime në qasje, nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës; ne punojmë ngushtë me Uashingtonin”, ka thënë mes tjerash kryeministri Kurti, I cili duke folur per mos njohjen nga Spanja tha se ka një paradoks, sepse sipas tij, Spanja, një demokraci e konsoliduar, nuk e njeh Kosovën, një shtet proevropian dhe kundër ndikimit rus, ndërkohë që mban një qëndrim të afërt ndaj Serbisë.
“Dëshiroj të theksoj se shtete të tjera, si brenda dhe jashtë Bashkimit Europian, kanë lidhje më të ngushta me Serbinë sesa Spanja dhe, megjithatë, kanë njohur Kosovën.
Ky precedent tregon se njohja e Kosovës nuk është e kushtëzuar domosdoshmërisht nga lidhjet ekonomike me Serbinë, por nga një vendim sovran, i bazuar në parime të drejtësisë dhe stabilitetit ndërkombëtar” – theksoi lideri Albin Kurti.