Connect with us

Lifestyle

Dashuria e pakushtëzuar është e rëndësishme për fëmijët

Dashuria e pakushtëzuar është thelbësore për fëmijët tanë. Në këtë artikull psikologia Ursula Perone shtjellon kështu këtë temë. Kur na pyesin se kush janë njerëzit që na bëjnë të ndihemi më të dashur, shpesh u përgjigjemi, prindërit, ose më së shumti, gjyshërit tanë. Por pse? Çfarë ka kaq të veçantë dashuria që ata na japin dhe që na bën të ndjehemi kaq të mbrojtur? Sekreti është pakushtëzimi i kësaj dashurie.

Një dashurie sinqertë dhe e pakushtëzuar që nuk flet për përsosmëri, as për pritshmëri apo gabime, por vetëm për pranim.Duke u nisur nga kjo, mund të kuptojmë pse dashuria e pakushtëzuar për fëmijët është kaq e rëndësishme.

Dashuria pa kushte

Dashuria e pakushtëzuar është shprehja më e pastër dhe e sinqertë e kësaj ndjenje. Kjo formë e dashurisë shpesh është e rezervuar për fëmijët. Është një dashuri e lindur, e cila i zbulohet një prindi sapo sheh që fëmija i tij ka lindur. Një dashuri e pakushtëzuar që vështirësish një fëmijë nuk mund ta marrë kurrë nga dikush tjetër. Një dashuri e dhënë pavarësisht se si është, nga gabimet apo defektet e veta, pa pasur nevojë të bëjë asgjë, por të jetë vetvetja.

Dashuria e pakushtëzuar për fëmijët ka vlerë të madhe në vitet e para të jetës. Falë saj, ata zhvillojnë një lidhje të sigurt dhe një strukturë të fortë emocionale. Një fëmijë që ndihet i dashur dhe i mbrojtur do të jetë në gjendje të eksplorojë botën dhe të lidhet me të tjerët pa frikë, sepse do të dijë gjithmonë se mund të mbështetet në një strehë të sigurt, në të cilën të vendoset në rast nevoje. Është pra një dashuri që jep qëndrueshmëri, mbrojtje dhe siguri, tre përbërës të nevojshëm për ta bërë fëmijën të ndjehet mirë si me veten, ashtu edhe me të tjerët.

Sinjalet e dashurisë së pakushtëzuar për fëmijët

Shpesh jemi të bindur që fëmijët i duam pa kushte. Por a e dinë ata këtë? A mund ta përçojmë këtë ndjenjë? E vërteta është se ndonjëherë ata mund ta perceptojnë ndryshe. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që gjithmonë të sigurohemi për mënyrën se si ata ndjehen. Rekomandimet e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë t’i bëni ata të ndjehen të dashuruar pa kushte nga ne:

1. Tregojini fëmijëve se i doni jo vetëm kur gjërat shkojnë mirë. Mos bëni krahasime me vëllezërit, motrat, miqtë apo kushërinjtë. Është e rëndësishme t’u bëjmë me dije fëmijëve se i duam dhe i pranojmë ashtu siç janë, me pikat e forta dhe të metat e tyre, dhe që këto nuk ndikojnë në dashurinë tonë.

2. Kalimi i kohës cilësore me fëmijët është shumë i rëndësishëm. Ndonjëherë puna nuk na lejon të shpenzojmë aq kohë sa duam me ta, dhe na bën të pyesim veten nëse momentet e kaluara së bashku u shpenzuan në mënyrën më të mirë. Mësojmë të pyesim si janë, i marrim seriozisht mendimet e tyre dhe përpiqemi ta vendosim veten në këpucët e tyre. Në këtë mënyrë do të forcojmë lidhjen tonë. Një tjetër ide e mrekullueshme për të kaluar kohë cilësore me fëmijët tanë është të gjejmë një pasion të përbashkët në sport, kinema apo në vizatim. Diçka që me të vërtetë na emocionon, veçanërisht nëse bëhet bashkërish.

3. Komunikimi. Kur i qortojmë fëmijët, shpesh nuk ua shpjegojmë situatën pse ata vepruan ashtu. U themi fraza të tipit “mos hip aty” ose “mos bëj kështu”, pa e shpjeguar gjatë arsyen. Pikërisht e kundërta është shumë e rëndësishme, sepse shpjegimi i arsyeshëm i ndihmon ata të përmirësojnë dhe kuptojnë qortimet tona.

4. Dalloni qartësisht sjelljen e tyre. Fëmijët mund të sillen keq, por nuk janë të këqij. Mund të kenë frikëra, por kjo nuk do të thotë që janë frikacakë. Kushtojini vëmendje etiketimeve! Mos e ngatërroni dashurinë me super mbrojtjen.

5. Ta duash pa kushte një fëmijë nuk do të thotë ta përkrahësh atë në gjithçka që bën apo të përpiqesh gjithmonë ta mbash larg nga telashet. Gjëja më e mirë në këto raste është ta ndihmoni atë të gjejë zgjidhje, të cilat të jetë ai që t’i zbatojë, e ju të qëndroni të gatshëm për t ’i dhënë qetësi në rast nevoje.

Nuk duhet ta harroni që dashuria e pakushtëzuar për fëmijët është thellësisht e lidhur me instinktin e mbrojtjes. Sado të dashur dhe të gatshëm për dialog që të jemi, nëse nuk kujdesemi për nevojat e tyre elementare siç mund të jetë ushqyerja, pastërtia, mësimet e me radhë, nuk do të jemi kurrë në gjendje t’u dhurojmë atyre një dashuri të pakushtëzuar, për të cilën kanë me të vërtetë nevojë.

Revista Psikologjia/

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *