Connect with us

Shkrime

Daullja populiste e Lapaj, Qori, Shabani dhe Shehaj/ Pse nuk ngjisin opozitarët e rinj

Nga Ylli Pata

Në shumë vende europiane po përkujtohet nga intelektualë të spikatur, 100 vjetori i një manifesti të frikshëm politik që tronditi botën në shekullin e 20. Bëhet fjalë për Main Kampf-in e shkruar nga Adof Hitler në vitin 1925. Një manifest politik i përmasave drithëruese që arriti të prekë telat më të ndjeshëm të popujve gjermanë e jo vetëm, duke u kthyer në një ideologji mbizotëruese, e cila fatkeqësisht reflektohet edhe sot. Ai koncept politik i shtruar nga artisti amator dhe tetari i ushtrisë perandorake gjermane, jo vetëm adhurohet edhe sot e kësaj dite, por nga ana tjetër, thelbi i mesazhit të tij politik po gjen gjithnjë e më shumë strehë në politikën e sotme, duke qenë aktual dhe universal.

Hitleri, sot është në modë thuajse në të gjithë ekstremistët në Europë, por dhe në mbarë botën. Është në modë jo vetëm nostalgjia ndaj tërheqjes që gjithmonë sjell figura e një udhëheqësi që terrorizoi botën, por më shumë se të gjithë pëlqehet thelbi i filozofisë që fyrheri solli në autobiografinë e tij, që shërbeu si një maniftest bombastik, që ja kaloi edhe famës së Manifestit të Partisë Komuniste të shkruar nga Karl Marx e Frederiik Engels.

Hitleri, në Main Kampf-in e tij, sjell logjikën e një djali të thjeshtë, të lindur në një “periferi të gjermanistëve” në Austri, pjesë e një familje të dhunshme, ku nuk ju dha mundësia që të shprehë talentin e tij si artist, duke jetuar në varfëri. Një manifest antisistem që godet jo vetëm establishmentin, por edhe sistemin politik në vetvete, përkatësisht demokracinë parlamentare. Një model që sot e shikojmë në shumë autobiografi politikanësh që po ngjiten një e nga një në krye të politikës botërore.

  1. D. Vance, zv.presidenti i zgjedhur në SHBA, njeriu i dytë pas Donald Trumpit, tronditi publikun me një bestseller jo vetëm në SHBA, por dhe në Europë e më gjerë.

“Elegjia Amerikane” e J.D. Vance, tregon historinë e një djali të rritur në periferitë e një qyteti industrial të Midwestit amerikan, me një familje problematike, me prindër të divorcuar e nënën e alkolizuar e përdoruese droge që nuk kujdesej për të birin. Edhe J.D.Vance, në manifestin e tij flet shumë për sistemin e krizën e vet, elitat dhe harresën e tyre për njerëzit e thjeshtë që nuk ja dalin dot dhe hyjnë në tunelet e errëta të jetës, që sipas tij kontrollohet nga establishmenti. Por nuk është ky shembulli i vetëm, pasi “moda e fyrherit” është një pandemi tashmë. Që shikohet qartë në retorikën për “krizën e demokracisë”.

Edhe në televizionet tona, kur flitet për ngjarjet botërore, shikojmë “analistë” që ngrenë lart Putinin, kreun e Kinës Xi Jinping, Donald Trumpin apo personazhe të tjerë të kësaj sëre, duke na i sjellë si modelë “pragmatizmi” dhe “racionaliteti”.

Populizmi dhe populistët, kanë vite që po jetojnë epokën e tyre në botë, si pjesë e një dështimi të klasës politike për t’ju përgjigjur dëshirave dhe nevojave të njerëzve. Megjithatë populistët kanë kohë që qeverisin, ata nuk janë më një “alternativë për tu parë”, por një establishment i ri. Ata i kemi si djathtas që janë më shumë, por edhe majtas.

Në Ballkan kemi shembujt më të freskët të dy modeleve që tashmë treguan se janë tollumbace me helium. Syriza e Alexis Tsipras në Greqi dhe Vetëvendosja e Albin Kurtit. Që duhet thënë se patën një tërheqje mjaft të madhe nga zgjedhësit në fillim, por që u shfrynë rrugës.

Ndërkaq tek ne, shikojmë modele të reja politike si djathtas, në qendër apo majtas, që duan të luajnë këtë lojë, ngaqë e shikojnë se është “sexy” në të gjithë botën. Edhe Adriatik Lapaj, Arlind Qori, por edhe Endri Shabani apo Agron Shehaj, i bien daulleve populiste në retorikën e tyre. Mesazhi i goditjes së establishmentit pa një manifest, duke përmendur një “olikarki” që sipas tyre duhet rrëzuar, është i njëjtë. Por duket se nuk po ngjit. Po pse?

Sepse shqiptarët kanë ngrënë e kanë pirë populizëm për 33 vjet pas rënies së komunizmit. Sali Berisha, është baba i populizmit. Narracioni i tij, i mjekut të ndershëm e të talentuar, familjar model që jeton në Brrakë, në një apartament modest, erdhi si “Main Kampfi” shqiptar në vitin 1990 dhe ndolli gjithë shejtanët e këtij vendi, duke djegur, shkatërruar, rrënuar e sulmuar, jo vetëm çdo gjë që edhe funksiononte, por edhe vlerat që ishin arritur në vite e vite, qoftë edhe si pasojë e dialektikës së kohës.

E sot shikojmë se ai “kardiologu i thjeshtë”, është një “Donald Trump” shqiptar, përkatësisht një zotërues par exellanxe i pasurive të paluajtshme më me vlerë në vend. Si në kryeqytet, si në bregdet, apo zona të tjera të majme.

Është një fuqi financiare që arrin të thithë e tërheqë “zekate” e “pizza” nga cdo biznes i madh në këtë vend apo koproratë ekzistuese. Natyrisht nuk është i vetmi, por është modeli sesi një populist që vjen si antisistem është thjesht një mit i rremë.

Pasi, sado që i adhuron turmat apo popullin për të cilin betohet se do ta mbrojë, në fund as s’e çan kokën nëse vdesin me mijëra për të ruajtur pushtetin e tij siç ndodhi në 1997, apo të vrasë njerëz pa lidhje që protestojnë para kryeministrisë.

Natyrisht Sali Berisha nuk është populisti i parë. Mjeshtri i tij është Enver Hoxha. Ndoshta një nga populistët më të shkathët botërorë, që fabulën e njeriut të thjeshtë që vinte nga hiçi arriti ta kthejë në filozofitë pushtetit të tij, që e mbrojti me zjarr e me hekur.

Po Edi Rama a është populist? Edi Rama nuk është populist, edhe pse është qartësisht demagog, çka përbën parathënien e populistit. Por Rama, e ka treguar në qeverisjen e tij, se më shumë se populizmi, mbështetet tek idetë e tij, të cilat mund të jenë të gabuara në një kohë të caktuara, por nuk i dorëzohet turmës. Edhe pse në raste të caktuara ka bërë pakt me turmën.

Në fjalë të tjera, Shqipëria politike e pas 1990 nuk ka qenë një pakt idesh, siç përshembull ka qenë doktrina e Ibrahim Rugovës në Kosovë.

Këtu nuk ka pasur doktrinë, ka pasur një filozofi që i fliste barkut të njerëzve, për të nxjerrë nga ato, të gjithë zhiglat që në përgjithësi i hidhen tërhanasë në mëngjes si një vakt i varfër.

Kemi pasur një politikë zhiglash që njerëzve, sidomos atyre që mendojnë, ju ka ardhur në majë të hundës. Pasi shqiptarët në realitet janë një popull që duan dijen, duan që të shkollojnë fëmijët e tyre në më të mirën e mundshme. E nuk pranojnë që t’i fyejnë inteligjencën. Në fjalë të thjeshta të japin ujë në bisht të lugës…

Advertisement